Obama: Ligje të reja për pengjet

18/11/2014 00:00

Presidenti amerikan Barack Obama ka urdhëruar një rishikim tërësor të protokollit të negociatave për lirimin e pengjeve amerikane në duart e grupeve terroriste jashtë vendit, mes të cilëve ISIS.

E përditshmja “Daily Beast” raporton se rishikimi, që do të përfshijë një trajtim të veçantë të familjarëve të pengjeve, vjen pas kritikave mbi proceset aktuale të negociatave, të cënuara nga përplasje burokratike të brendshme dhe nga mungesa e një lidershipi, sidomos nga Shtëpia e Bardhë.

Rishikimi është kërkuar për shkak të rritjes së pengmarrjeve të shtetasve amerikanë jashtë shtetit, thuhet në një letër që zyrtarja e Pentagonit, Christine Wormuth i dërgoi javën e kaluar republikanit Duncan Hunter.

Ky i fundit është anëtar i komisionit të Shërbimeve të Armatosura të Dhomës së Përfaqësuesve dhe i ka bërë presion administratës Obama për të bërë më shumë për lirimin e pengjeve në duart e ISIS apo të terroristëve të tjerë.

Ndërkohë, shërbimet sekrete dhe njësitë policore anti-terror në shtetet perëndimore kanë nisur një gjueti të mirëfilltë për të identifikuar emrat e të ashtuquajturve “xhelatët evropianë”, ndërkohë që në media kanë dalë shumë informacione mbi ta, pjesa dërrmuese e të cilave kontradiktore.

Duke filluar nga studenti britanik i mjekësisë. Sipas “Daily Mail”, ai quhet Nasser Muthana, 20 vjeç dhe është njohur nga i ati në videon e ekzekutimit të publikuar në YouTube. Por më pas e njëjta gazetë e ka përgënjeshtruar lajmin.

Në video, personi në fjalë, me origjinë nga Kardifi, shfaqet përkrah “Xhihadistit Xhon”, militanti me theks anglez që u ka prerë kokat 5 pengjeve perëndimore. Bashkë me ta dyshohet të jenë një xhihadist belg dhe dy francezë, për të cilët kanë nisur gjithashtu hetimet.

Top Channel