Presidenti i sapozgjedhur i Rumanisë, Klaus Iohannis, ka bërë të ditur gjatë së martës se partia e tij duhet të përpiqet të rrëzojë qeverinë e kryeministrit Victor Ponta vitin e ardhshëm, një shenjë tepër e hershme për destabilitetin që mund të prekë vendin pas fitores surprizë të tij.

Votimet për ekzekutivin nuk priten përpara vitit 2016, por Iohannis, duke folur në cilësinë e liderit të partisë opozitare të qendrës së djathtë “Partia Kombëtare Liberale”, tha se do të synojë të krijojë aleanca të reja për të larguar Pontan sa më herët të mundet gjatë vitit të ardhshëm.

Iohannis mposhti Pontën në zgjedhjet presidenciale të fundjavës, duke premtuar në fushatën e tij se do të përshkallëzojë luftën ndaj korrupsionit dhe do ta bëjë Rumaninë një vend më tërheqës për investitorët e huaj.

Ndërkohë që një fitore e Pontës mund të sillte qëndrueshmëri për një prej vendeve më të varfëra të Europës, e kundërta e saj, siç edhe ndodhi, fitorja e Iohannis tregon se fuqitë ekzekutive mbeten ende të ndara mes kampeve rivale të politikës dhe mund të shkaktojë më shumë presion ndaj qeverisë së Pontës për t’u larguar.

“Ne, partia liberale, duam të marrim pushtetin. Kjo do të ndodhë në vitin 2015, ose maksimumi në zgjedhjet parlamentare të 2016-s”, tha Iohannis për reporterët në takimin festiv të fitores. “Tashmë është e nevojshme në mënyrë urgjente të miratohet buxheti i vitit 2015, sepse rumunët kanë nevojë të mësojnë se çfarë po ndodh”.

Ish-shteti komunist me 20 milionë banorë po del nga situata e shkurtimeve të dhimbshme buxhetore të imponuara prej ngadalësimit të ritmit global të ekonomisë. Rritja është rritur në më shumë se 3 përqind gjatë tremujorit të tretë të 2014-s, por korrupsioni dhe evazioni fiskal janë sërish therrëse. Progresi për të implementuar reformat dhe për të riparuar sektorin e fryrë shtetëror është i përzierë.

Grindjet politike kanë goditur shpesh herë progresin e Rumanisë gjatë 25 viteve të saj të demokracisë. Si kryeministër prej vitit 2012, Ponta shpesh është grindur me Presidentin në largim Traian Basescu, i cili pengoi qeverinë e tij duke shkaktuar një krizë kushtetuese.

Socialdemokratët e Pontës dhe partnerët e koalicionit të tij kanë ende një mazhorancë në dukje komforte, me afro 60 përqind të Parlamentit, por Rumania ka një histori të gjatë të dezertimeve, madje edhe vet partia e Iohannis është ndarë nga qeveria në muajin shkurt.

Top Channel