Spanjë, Parlamenti do votojë “shtetin e Palestinës”

18/11/2014 00:00

Ligjvënësit spanjollë priten të votojnë këtë të martë në favor të njohjes nga qeveria e tyre të Palestinës si një shtet i pavarur, në një lëvizje simbolike që synon të promovojë paqen mes palestinezëve dhe izraelitëve, por që sërish ka irrituar shtetin hebre.

Debati në Madrid vjen në të njëjtën ditë kur 2 palestinezë, të armatosur me sëpata dhe pistoleta, hynë në një sinagogë në Jeruzalem dhe vranë 4 hebrej gjatë lutjes, përpara se të vriteshin edhe vet.

Mocioni jodetyrues i sjellë për votim nga socialistët opozitare, pritet të marrë edhe mbështetjen e Partisë Popullore në pushtet e grupeve të tjera në dhomën e ulët të Parlamentit, duke i bërë jehonë votimeve të ngjashme në Britani dhe Irlandë gjatë muajit të kaluar.

Franca synon gjithashtu një rezolutë jodetyruese, menjëherë pasi qeveria e qendrës së majtë të Suedisë mori kryesimin duke njohur zyrtarisht shtetin e Palestinës, vetëm pak ditë pas ardhjes në pushtet gjatë muajit të kaluar.

Kjo lëvizje reflekton edhe njëherë frustrimin në rritje të Bashkimit Europian ndaj programit të zgjerimit të blloqeve të banimit nga ana e Izraelit, në tokën e palestinezëve, të cilët prej kohësh kërkojnë formimin e një shteti pas ngecjes së bisedimeve për paqe të sponsorizuara nga SHBA-të.

Shefja e re e Politikës së Jashtme të BE-së, Federica Mogherini, tha se ministrat e Jashtëm të bllokut 28-anëtarësh diskutuan gjatë takimit të së hënës në Bruksel se si “do të mund të nisnin një proces pozitiv me izraelitët dhe palestinezët për të rinisur procesin e paqes”.

Edhe pse kjo iniciativë nuk do të ndryshojë politikën e jashtme të Spanjës sa i përket Lindjes së Mesme, Madridi shpreson që t’i japë një shtysë përpjekjeve aktuale në kërkim të një zgjidhjeje dyshtetërore mes Izraelit dhe Palestinës.

Megjithatë, qeveria izraelite e qortoi këtë lëvizje, duke thënë se vjen në një nga momentet më të këqija, pas incidentit më të rëndë në Jeruzalem prej 6 vitesh.

“Asgjë nuk mund të fitohet nga lëvizje të njëanshme si ajo që po bën Parlamenti spanjoll sot, madje ky veprim na distancon edhe më shumë neve nga negociatat me palestinezët”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme izraelite, Emmanuel Nahshon. “I bëjmë thirrje Spanjës të mos ndërmarrë lëvizje të njëanshme, veçanërisht në një ditë shokuese si kjo e sotmja”.

Top Channel