Panariti: Mbështetje bujqësisë së profilizuar

18/11/2014 00:00

Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti ka deklaruar se qeveria do të nisë orientimin e investimeve në sektorin bujqësor, duke mbështetur prodhimin e kulturave bazuar në hartën e rajoneve.

Sipas tij, kjo do të rrisë prodhimin bujqësor dhe do të zgjerojë më tej hartën e eksporteve që aktualisht shtrihet në 20 shtete.

“Kemi vënë re një rritje të ndjeshme të perimeve dhe frutave të freskëta, me 14 për qind më shumë se viti i kaluar. Edhe agropërpunimi ka rritur prodhimin dhe ka eksportuar 5 për qind më shumë”, deklaroi Panariti.

“Ne kemi ferma me 1 hektar ose më pak. Kjo është një vështirësi e madhe për investitorët e huaj, ndaj dhe fermerët duhet të ndërgjegjësohen dhe të kenë bashkëpunim për daljen në treg”, tha nga ana tjetër Zenel Hoxha, kryetar i Dhomës Britanike të Tregtisë.

Referuar cilësisë së prodhimeve bujqësore, zëvendësministri i Bujqësisë propozoi krijimin e shërbimit veterinar privat, me akses në databazën e ministrisë, për të kryer punën që sipas tij nuk kryhet nga institucionet publike e që penalizon eksportin e produkteve blegtorale.

Top Channel