“Nderi i Kombit” për Majlinda Kelmendin

18/11/2014 00:00

Presidenti i Republikës Bujar Nishani vlerëson me dekoratën “Nderi i
Kombit” dy herë kampionen e botës në xhudo, Majlinda Kelmendin.

Motivacioni për dekoratën është: “Për veprimtari të shquar dhe vlera të larta të paraqitura në sportin e xhudos, si një sportiste e nivelit shumë të lartë, me rezultate të shkëlqyera, të arritura në veprimtaritë kombëtare dhe ndërkombëtare, duke u shpallur dy herë kampione bote si përfaqësuese e vendit tonë.”

“E kam ndjekur si shumë tifozë shqiptarë, si shumë dashamirës, si shumë bashkatdhetarë të tjerë tanët karrierën e shkëlqyer të sportit të Majlindës, që në përpjekjet e para dhe deri sa ka mbërritur tashmë në majat më të larta të botës. Një vajzë shqiptare, tashmë, dy herë kampione bote në një sport i cili kërkon profesionalizëm, kërkon dhunti, kërkon shpirt të fortë gare, por njëkohësisht kërkon jo vetëm vullnet, por dhe pasion dhe dashuri për atë çka përfaqëson. Unë jam i bindur sot që, çdo shqiptar, kudo ku jeton, është me të vërtetë i lumtur që përmes arritjeve dhe punës së Majlindës, përmes prezantimit të saj në nivelin botëror dhe jo vetëm një herë, por tashmë në mënyrë të konsoliduar. Emri i shqiptarit është i radhitur në mënyrë të denjë përkrah më të mëdhenjve të botës së sportit”, tha Presidenti në ceremoni.

Ndërsa Kampionia e Botës në xhudo, Majlinda Kelmendi duke marrë në dorëzim dekoratën e lartë nga Presidenti Nishani, u shpreh: “Dëshiroj të falënderoj Presidentin zotin Bujar Nishani për këtë dekoratë! Është nder, kënaqësi dhe privilegj shumë i madh për mua që sot shpallem ‘Nderi i Kombit’. Ky është një inkurajim shumë i madh për mua.”

Top Channel