Shërbimi i urgjencës, sa (s’) na e shpëton jetën

18/11/2014 00:00

Autoambulanca, që nuk mbërrijnë në kohë pranë një personi në gjendje të rënduar shëndetësore, apo edhe raste kur ato akuzohen se nuk mbërrijnë asnjëherë.

Përgjatë viteve të fundit, shërbimi i urgjencës dhe mosardhja në kohë e ambulancave është vënë shpesh në qendër të akuzave, nga familjarë që humbin njerëzit e tyre edhe për shkak të vonesave të këtij shërbimi.

Rasti më i fundit është ai i këngëtarit Dr. Flori, i cili humbi jetën paraditen e së hënës. Vetëm pak orë pas ngjarjes së rëndë, familjarët e tij denoncuan në media neglizhencën e autoambulancës, që nuk iu përgjigj pesë herë telefonatave të gruas dhe vëllait të të ndjerit, që kishin kërkuar ndihmë.

Ka qenë pastori i Kishës Ungjillore, Fitor Muça, i cili në një intervistë deklaroi se “familjaret e Floran Kondit kanë marrë urgjencën në telefon, por autoambulanca nuk shkonte, megjithëse klinika është vetëm 5 minuta larg në këmbë, nga banesa ku ai jetonte”.

Po sipas pretendimeve të familjarëve, mësohet se bashkëshortja – duke mbajtur në krahë djalin 2-javësh – i është drejtuar Ambulancës së lagjes, dhe përgjigjja që ka marrë ishte se autoambulanca ndodhej në një tjetër vend dhe se i sëmuri duhej të transportohej atje nga familjarët e tij, e jo të merrej nga shërbimi i urgjencës.

Një tjetër rast flagrant, ku u akuzua për vonesë të ambulancës në vendngjarje, ishte edhe atentati me eksploziv ndaj gjyqtarit të Vlorës, Skerdilajd Konomi.

Në ngjarjen e tre viteve më parë, shërbimi i urgjencës së qytetit shkoi me shumë vonesë në vendngjarje. Asokohe, pjesë e hetimeve të Prokurorisë ishte dhe verifikimi i këtij pretendimi, nga ku rezultoi se automabulanca kishte qenë në një tjetër shërbim urgjence, shumë larg vendit të ngjarjes, dhe nuk kishte mundur të mbërrinte në kohë.

Disa muaj më parë, në qytetin e Korçës, një 60-vjeçar humbi jetën brenda ambienteve të Gjykatës së Rrethit, pasi po ndiqte një proces gjyqësor ku ishte i përfshirë një i afërmi i tij.

Familjarët e Ali Jaupllarit, i cili pësoi infarkt në sallën e gjyqit, thanë se autoambulanca u vonua më shumë se 20 minuta për të mbërritur në vendngjarje, edhe pse Spitali Rajonal ndodhet në krah të gjykatës.

Top Channel