Ndjeshmëria e të rinjve ndaj problemeve sociale

18/11/2014 00:00

Ta duash, ta respektosh dhe ta vlerësosh familjen. Këtë mesazh përcjellin, përmes krijimeve filmike, studentë dhe gjimnazistë në Shkodër.

Organizata “Jetë studentore”, si çdo vit të ri akademik organizon projekte të tilla për të sensibilizuar të rinjtë.

Realizimet me tematika sociale i bënë studentët edhe aktorë, në mënyrë që krijimi i tyre të ishte më i miri. I gjithë projekti ka si qëllim të nxisë të rinjtë, që të marrin hapa praktikë se si të jenë studentë më të mirë. Po ashtu, konkurrenca mes tyre është një element i rëndësishëm, që i nxit ata të kërkojnë më shumë nga vetja.

Ndër prezantimet më të spikatura është: “Sakrifica e Prindërve”. Në videon e saj trajtohen vështirësitë e prindërve për të siguruar parà për fëmijët dhe shpërdorimi nga ana e tyre.

Familja është edhe në një tjetër video, ku fëmijët vuajnë si pasojë e problemeve të çiftit.

Ndërkohë, një çift tjetër, të cilët fatkeqësisht nuk mund të kenë fëmijë, ndikojnë te të parët për të vlerësuar martesën dhe fëmijët.

Në një tjetër video, realizuesit shikojnë nga e ardhmja, duke bërë thirrje që njerëzit të punojnë për të realizuar ëndrrat e tyre, nuk mjafton vetëm t’i dëshirojnë ato. Fituesi i projektit do të shpallet më 19 nëntor në Shkodër.

Top Channel