FIFA ngre padi penale në Zvicër

18/11/2014 00:00

FIFA ka ngritur një padi penale ndaj individëve të caktuar të lidhur me kandidatët për të organizuar dy kampionatet e ardhshme botërore.

Presidenti Sepp Blatter ka vepruar mbi këshillat e gjykatësit Hans-Joachim Eckert, raporti i të cilit shfajësoi Rusinë dhe Katarin për ndonjë shkelje në lidhje me organizimin e dy turneve, Botërorit 2018 dhe atij 2022.

“Nuk ka prova të mjaftueshme për të vënë në dyshim të gjithë procesin e kandidaturave për organizimin e këtyre dy eventeve”, tha Eckert.

Edhe pse raporti i tij është kritikuar gjerësisht, Blatter u ka rezistuar thirrjeve për ta bërë raportin tërësisht publik.

“Nëse FIFA do të publikonte atë raport, atëherë ne do të ishim duke shkelur mbi ligjet e Federatës sonë, ashtu sikurse dhe ligjet e shtetit”, tha ai. Gjithsesi, FIFA ka disa fusha domethënëse për t’u shqetësuar.

Në deklaratën e publikuar prej saj, thuhej: “Duket se ka baza për dyshimin se, në raste të izoluara, transferime ndërkombëtare të aseteve në lidhje me Zvicrën kanë ndodhur, të cilat meritojnë të hetohen nga autoritetet hetimore kriminale”.

Blatter tha se kjo lëvizje tregon edhe njëherë se FIFA nuk është kundër transparencës. Ai shtoi se “nëse do të kishim diçka për të fshehur, atëherë do të ishte e vështirë për ne ta dërgonim këtë çështje në zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm”.

Eckert konfirmoi se kishte këshilluar FIFA-n të dorëzonte këtë padi, që është dorëzuar në të njëjtën kohë, ose shumë afër momentit kur ai nxori edhe raportin e javës së kaluar.

Top Channel