Putin: SHBA nuk do ta nënshtrojnë kurrë Rusinë

18/11/2014 00:00

Shtetet e Bashkuara duan të “nënshtrojnë” Moskën, por nuk do ia arrijnë kurrë të kenë sukses. Kështu është shprehur Presidenti rus Vladimir Putin gjatë së martës.

“Ata nuk duan të na turpërojnë, por të na nënshtrojnë. Ata duan të zgjidhin problemet e tyre në kurrizin tonë”, tha Putin në fund të një takimi prej 4 orësh me një grup mbështetësish të Frontit Popullor.

“Askush në histori nuk ia ka dalë këtij synimi me Rusinë dhe askush nuk do ta realizojë”, tha ai, duke fituar duartrokitjet e të pranishmëve.

Fjalimi i ashpër i Putinit reflekton përkeqësimin e marrëdhënieve mes Moskës dhe Uashingtonit, të cilët janë në përplasje të ashpër prej krizës së Ukrainës, teksa Perëndimi akuzon Rusinë për dërgimin e armatimeve dhe trupave ushtarakë në mbështetje të rebelimit të separatistëve.

Gjatë takimit, Putin nxiste vazhdimisht firmat ruse, përfshi ato në agrikulturë dhe në sektorët e Mbrojtjes, të rrisnin shitjet e tyre në tregjet vendase pas sanksioneve të vendosura nga Perëndimi mbi situatën në Ukrainë.

Putin ngriti një sërë pyetjesh gjatë eventit, mbi gjithçka. Nga shitjet e matësve të glukozës në gjak e deri te problemet e strehimit, ndërkohë që lideri rus theksoi edhe njëherë vendosmërinë për të përmirësuar ekonominë e vendit të tij, që po vuan nën ndikimin e sanksioneve.

Top Channel