Berisha: Rama i ka bërë gropën ekonomisë

18/11/2014 00:00

Ish-kryeministri Sali Berisha, jo pa keqardhje për sallën e Kuvendit, e ka zhvendosur diskutimin për buxhetin në zyrën e tij, në një bisedë me gazetarë që ka zgjatur plot 1 orë e 15 minuta e ku për qeverinë që ka propozuar ligjin financiar të vitit të ardhshëm ai beson plotësisht në një gjë.

“Ai i bëri gropën ekonomisë shqiptare”, deklaroi Berisha.

Shpresa e vetme sipas ish-kryeministrit mbetet prapësimi i projektbuxhetit.

“Nëse protesta mbarëpopullore, si instrumenti dhe mekanizmi i vetëm që mund të ndalë këtë rrokullisje, nuk e arrin qëllimin e saj, Shqipëria do kalojë në një ndër situatat më të rënda se ne po ecim shumë shpejt mbrapa”, tha Berisha.

Po rriten me 50% taksat dhe po sulmohet egër edhe shtresa e mesme përpos asaj të varfër, tha ish-kryeministri që bëri një parashikim edhe më të zymtë. “Ky buxhet do rikthejë regjimin e vizave”, theksoi Berisha.

Pasardhësin e tij Berisha e cilësoi si rrezikun më të madh të vendit, të cilit përgjatë një viti qeverisje i njeh vetëm një meritë: “Veç faktit që ngriti çështjen e pavarësisë së Kosovës në Beograd, unë nuk di asgjë tjetër”, tha ish-kreu i PD.

Ndërsa i ka pasur të shumta deklarimet në profilin e tij në rrjetet sociale për vizitën e Ramës në Beograd, në daljen e parë pas saj përpara mediave ish-kreu i ekzekutivit dënoi qëndrimin e shefit te qeverisë së Beogradit.

“Ai reagoi në mënyrë shumë të padenjë. Mikpritës si ai, ai qoftë. E kam të vështirë t’i besoj Ramës, por po të më pyesësh se kush është më gënjeshtar them se më gënjeshtar është Vuçiç. Nuk besoj që ata të mos kenë diskutuar qoftë edhe privatisht për Kosovën”, vijoi Berisha.

Por megjithatë, Berisha ka po aq rezerva për politikën e jashtme të kësaj qeverie. “Këta që na kanë shpallur politikën ‘zero probleme me fqinjët’ po na dalin kallp me diplomacinë. Kaq”, shtoi ish-kryeministri.

Top Channel