Kur problemet e fëmijëve dalin përpara OKB-së

18/11/2014 00:00

S’i ka mbushur ende 14 vjeç, por ka ngritur zërin për të drejtat e të gjithë fëmijëve shqiptarë para Kombeve të Bashkuara.

Dorina Zhuka përfaqësoi Shqipërinë në prill të këtij viti në Raportin Periodik Universal, një mekanizëm ku shqyrtohen raportet për të drejtat e njeriut në 193 vende anëtare të Kombeve të Bashkuara, për të adresuar problematikat e nxehta të bashkëmoshatarëve të saj.

“Ky proces zhvillohet çdo katër vjet e gjysmë dhe këtë vit, me mbështetjen e ‘Save the Children’, ne morëm pjesë në këtë proces. Realizuam një raport duke ngritur problematikat në diskutime të shumta. Nxorëm 5 prej tyre që i konsideronim më të rëndësishmet dhe më aktualet për kohën, që ishin dhuna, edukimi, kujdesi shëndetësor për fëmijët, pjesëmarrja e fëmijëve në proceset vendimmarrëse dhe diskriminimi”, u shpreh Dorina.

Në 8 minuta, Dorina duhej të fliste për punën e një viti të tërë, të saj dhe të bashkëmoshatarëve të saj, të cilët përgatiten raportin.

“Realizuam një pyetësor për të vjelur të dhëna dhe për të pasur sa më shumë fakte konkrete për t’ia bashkangjitur raportit. Kemi ngritur grupe fokusimi me fëmijë të ndryshëm, romë, vulnerabël, etj”, tha Dorina.

Ndërkohë, puna vazhdon ende. Tashmë është faza e monitorimit, pasi arritja më e madhe ishte se, rekomandimet që u dhanë atje u pranuan nga qeveria.

“Kjo ishte një arritje personale, por që unë do e quaja arritje të të gjithë fëmijëve shqiptarë, sepse zëri i tyre u ngrit fort dhe unë aty kam përfaqësuar punën e më shumë se 3 mijë fëmijëve, duke çuar problematikat që ngrenë vetë fëmijët shqiptarë. Ishte një arritje e madhe që rekomandimet tona u pranuan nga shteti shqiptar dhe ne jemi mjaft optimistë për faktin që ndryshimi do të jetë i dukshëm”, tha Dorina.

Raporti Periodik Universal është krijuar 8 vjet më parë nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara. Ai është një nga elementët kyç të Këshillit, që u kujton shteteve për përgjegjësinë e tyre për të respektuar dhe implementuar të gjitha të drejtat dhe liritë themelore të njeriut.

Qëllimi i tij është përmirësimi i situatave të të drejtave të njeriut në të gjitha vendet dhe adresimi i shkeljes së të drejtave kudo që ndodhin.

Top Channel