Libi, ISIS-i kontrollon Dernën

18/11/2014 00:00

Flamuri i ISIS-it tashmë fluturon mbi ndërtesat qeveritare në një shtet në bregdetin e Mesdheut, në Libi. Militantët e Shtetit Islamik janë në kontroll të plotë të qytetit Derna, i cili ka një popullsi prej rreth 100.000 banorësh, jo larg nga kufiri egjiptian dhe vetëm 200 milje larg nga brigjet jugore të Bashkimit Evropian.

Burime nga Libia thonë për CNN se luftëtarët e ISIS-it po përfitojnë nga kaosi politik atje për të zgjeruar shtrirjen e tyre drejt perëndimit nëpërmjet bregdetit të Mesdheut.

Dega e ISIS-it që kontrollon Dernën numëron 800 luftëtarë të stërvitur ushtarakisht nga forcat speciale militante të Irakut. Deri më tani, ISIS-i ka një kontroll të rreptë në qytet, kontrollon gjykatat, administratën, arsimin dhe radion lokale. Madje ata kanë deklaruar se gjyqtarët, gazetarët dhe oficerët e Libisë janë kthyer në shënjestrën e radhës. Kjo situatë e rënduar ka rritur shqetësimet në vendet fqinje si Egjipt dhe Greqi.

E sidomos në Egjipt, i cili e ka mbështetur fuqishëm koalicionin anti-Islamik. Vetëm disa javë më parë kryeministri britanik David Cameron deklaroi se nëse ISIS-i është vërtetë aq i fuqishëm sa pretendon, do kishte depërtuar me kohë në brigjet e Mesdheut. Dhe tani Kalifati Islamik nuk ndodhet shumë larg brigjeve të Europës jugore.

Top Channel