Çmimi i ri i energjisë, nis zyrtarisht procesi i rishikimit

18/11/2014 00:00

Enti Rregullator ka pranuar të marrë në shqyrtim kërkesat e të tre kompanive të sistemit energjitik për tarifat e reja, duke i hapur rrugë zyrtarisht procesit për vendosjen e çmimit të ri.

Sipas aplikimeve zyrtare të dorëzuar pranë Entit, të tre kompanitë kërkojnë rritjen e tarifës që ato përfitojnë në zinxhirin e çmimit të energjisë.

Përkatësisht, KESH kërkon që pjesa e saj e çmimit të shkojë nga 2.2 lekë për kilovat, që është aktualisht në 3.3 lekë pas 1 janarit.

Sipas KESH, kjo rritje kërkohet për të kompensuar koston shtesë të energjisë që blen nga HEC-et private, por edhe kreditë që ka në banka.

OST ka kërkuar rritje nga 0.65 në 0.73 lekë për kilovat, ndërsa Operatori i Shpërndarjes ka bërë kërkesë që çmimi i përfituar prej tij të rritet nga 5 lekë në 6.96 lekë për kilovat/orë.

Çmimi final që paguan konsumatori për energjinë është rezultat i shumës së tarifave që përfiton secila nga tre kompanitë. Me aplikimet e tyre pranë Entit Rregullator, këto kompani kërkojnë që çmimi final për konsumatorët të rritet me 3.18 lekë për kilovat/orë nga niveli aktual.

Kjo do ta çonte tarifën mesatare që paguajnë konsumatorët nga 9.53 në rreth 12.7 lekë për kilovat/orë. Edhe në të kaluarën kompanitë kanë kërkuar rritje të forta të çmimit, me përjashtim të tre viteve të fundit kur çmimi ka qenë i paracaktuar.

Por vendimi final i Entit ka qenë gjithmonë i ndryshëm nga kërkesat e tyre. Vendimi për çmimet e reja të energjisë pritet të merret muajin që vjen.

Ndërkaq, këtë të martë përfaqësuesit e misionit të FMN-së, të sapombërritur në Tiranë, kanë zhvilluar një takim të gjatë me drejtuesit e Entit Rregullator, ku vendimi për çmimet duket se ka qenë tema kryesore.

Paraprakisht Enti, por edhe qeveria kanë lajmëruar se do të njëhsojnë çmimin energjisë duke hequr fashën e mbrojtur prej 300 kilovat/orë.

Kjo sjell automatikisht rritje çmimi për të gjitha ato familje nën këtë nivel konsumi. Por sipas qeverisë, 204 mijë familjet me të ardhura të ulëta do të kompensohen me nga 700 lekë në muaj për këtë rritje të çmimit.

Top Channel