Basha në Bruksel: Me qytetarët dhe ndërkombëtarët do ndalim të keqen”

18/11/2014 00:00

Pas punimeve të Asamblesë Parlamentare të Partive Popullore Europiane në
Bruksel, kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha deklaroi se me
qytetarët shqiptarë dhe partnerët europianë do të ndalim të keqen.

I pyetur për rikthimin e opozitës në Parlament, Basha akuzoi mazhorancën se po bën gjithçka për ta shmangur përgjegjësinë dhe për të mos trajtuar thelbin e problemit.

“Prej më shumë se gjashtë muajsh, qeveria sistematikisht po asgjëson çdo hapësirë institucionale ku opozita dhe shumica të bëjnë debat, të bëjnë transparencë para qytetarëve shqiptarë për çfarë po ndodh në Shqipëri.

Kjo është arsyeja pse, opozita shqiptare, Partia Demokratike, unë personalisht, u jemi drejtuar drejtpërdrejtë qytetarëve shqiptarë. Problemet e tyre, shqetësimet e tyre, veçanërisht ato që kanë të bëjnë me situatën e rënduar ekonomike në vend, me rritjen e çmimit të energjisë dhe taksave për vitin e ardhshëm, me dhunën dhe paligjshmërinë qeveritare me pronën dhe jetën e qytetarëve, me instalimin në vend të një shteti policor i cili vepron kundër rregullave të shtetit ligjor, pra të ligjeve dhe kushtetutës së vendit.

Këto shqetësime që i marrim drejtpërdrejtë nga qytetarët shqiptarë me raste konkrete të evidentuar me fakte të pakundërshtueshme. Këto janë edhe shqetësimet që po paraqesim këtu në Bruksel pranë institucioneve evropiane, pranë partive si motra, ku po gjejmë jo vetëm interesimin e tyre, jo vetëm shqetësimin e thellë për situatën në Shqipëri, por edhe përkrahjen e plotë për reaksionin opozitar.

Arsyeja kryesore se pse vendi është zhytur në këtë situatë ekonomike, në këtë situatë politike, është sepse qeveria shpërfill zërin e qytetarëve, shpërfill zërin e opozitës, shpërfill institucionet dhe mundohet t’i kapë ato t’i vërë zotërimin e saj të paligjshëm.

Ky është një shqetësim i jashtëzakonshëm për ne. Është një shqetësim i madh edhe për Bashkimin Evropian edhe për partnerët tanë dhe për të gjithë bashkëbiseduesit që unë kam takuar dhe vazhdoj të takoj këtu në Bruksel.

Bashkë me shqetësimin tonë të thellë për situatën në vend, kemi gjetur dhe mirëkuptimin dhe mbështetjen e partnerëve tanë, të institucioneve evropiane, partive tona simotra, Partisë Popullore”, deklaroi Basha.

Top Channel