Shtyhet rivarrimi i Isa Boletinit

18/11/2014 00:00

Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë kanë vendosur që të shtyjnë datën e rivarrimit të eshtrave të heroit kombëtar, Isa Boletini.

Këshilli organizativ për ceremoninë e rivarrimit fillimisht kishte vendosur që eshtrat e heroit kombëtar të rivarroseshin më 28 nëntor të këtij viti në vendlindjen e heroit, por tani propozimi i ri është që kjo të bëhet më 16 janar 2015, që është edhe 99-vjetori i vrasjes së heroit.

Top Channel ka mësuar nga burime brenda institucioneve kosovare se ndër arsyet kryesore të shtyrjes së ngjarjes është bërë për shkaqe sigurie.

Mësohet se forcat e NATO-s në Kosovë nuk kanë mundur të japin garanci për pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës që të kalojnë në vendlindjen e Isa Boletinit, që ndodhet në veri të vendit.

Në Ministrinë e Kulturës nuk e kanë mohuar këtë fat, por kanë shpjeguar edhe arsye të tjera që kanë çuar në shtyrjen e rivarrimit. Zëdhënësja Jehona Shyti ka thënë se shtyrja është bërë me pajtimin e të gjitha palëve të përfshira në organizim.

“Duke marrë parasyësh faktin që në Republikën e Shqipërisë është duke u kremtuar 70-vjetori i Luftës Anti-Fashiste, ne kishim frikë se mund të ngelej nën hije ceremonia e rivarrimit të eshtrave të heroit Isa Boletini. Duke marrë parasysh këta faktorë, ne si Këshill Organizativ i kemi rekomanduar qeverisë që të bëjë shtyrjen e ceremonisë më datë 16 janar”, ka deklaruar Shyti.

Shyti ka thënë se deri në datën e re të ceremonisë së rivarrimit, Këshilli Organizativ do të ketë më shumë kohë për të organizuar edhe aktivitete të rëndësishme në nder të kësaj figure.

“Tashmë kemi fituar kohë dhe jemi të bindur që si Këshill Organizativ do të arrijmë të organizojmë një ceremoni më madhështore. Sigurisht që një nga ngjarjet e rëndësishme që do t’i shtohet ceremonisë do të jetë edhe një konferencë shkencore për figurën e Isa Boletinit dhe për rolin e kontributin e tij në historinë tonë kombëtare”, ka shtuar Shyti.

Këshilli Organizativ për rivarrosjen e eshtrave të Isa Boletinit përbëhet nga zyrtarë të qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, të cilët kanë vendosur që në ceremoninë e rivarrimit të ftojnë edhe përfaqësues të shqiptarëve të Maqedonisë, Luginës së Preshevës dhe të diasporës.

Top Channel