Tirana mbulohet nga uji. Mblidhet Shtabi i Emergjencave

18/11/2014 00:00

Ka mjaftuar më pak se një orë shi i dendur mbrëmjen e së martës që Tirana të mbulohet nga uji, ku në një kohë fare të shkurtër ka arritur nivele alarmante.

Një sërë rrugësh në kryeqytet janë bllokuar, e në disa banesa e biznese ka depërtuar uji.

E rënduar paraqitet situata tek rrugët: “Ali Demi”, “Shemsi Haka”, te ura e “Poligrafikut”, ku ka përmbytje për shkak të daljes së ujërave nga shtrati i Lanës. Ndërkaq në rrugën “Gramos Pashko” dhe zona e “Qytetit Studenti” ujërat janë futur në disa banesa. E njëjtë paraqitet situata dhe ne zonën e “Kodrës së Priftit”, rrugën “Bardhyl”, zonën e “Komunës së Parisit”, rrugën “Don Bosko” si dhe në rrugën “Sami Frashëri”.

Në zonën e “Bregut të Lumit”, në Allias, për shkak të daljes nga shtrati të lumit të Tiranës ka përmbytje në disa banesa dhe në rrugët në mes pallateve.  Edhe zona e “21 Dhjetorit” edhe përgjatë gjithë rrugës së “Kavajës”, niveli i ujit ka qenë i lartë, çka ka sjell dhe probleme të mëdha në trafik.

Por veç zonave, probleme ka pasur edhe në sheshin “Skënderbej”, ku niveli i ujit në rrugë, në disa segmente arrinte deri në 10 cm.

Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri ka urdhëruar mbledhjen e menjëhershme të Shtabit të Emergjencave, pasi situata është e rënduar në disa qytete të vendit.

Ndërkohë me anë të një deklarate Ministria e Brendshme thotë se është duke ndjekur nga afër situatën e krijuar për shkak të reshjeve të dendura në të gjithë vendin, gjithashtu po koordinohen masat për të evituar ngjarje të rënda për jetën e qytetarëve.

Ministria e Brendshme ka vënë në gatishmëri repartet e FNSH në rrethin e Tiranës, të Shkodrës dhe të Fierit.

“Nivel të lartë uji ka në Bulevardin Dëshmorët e Kombit, ndërkohë që tek
zona tek Pallati me Shigjeta lumi i Lanës ka dalë nga shtrati. Nga
ish-“Misto Mame” në drejtim të Kombinatit niveli i ujit ka arritur në 50
cm. Tek “Brryli” situata është e njëjtë me Lanën që i është afruar
shumë nivelit të rrugës”, thuhet në një njoftim për shtyp të Bashkisë së
Tiranës.

Ndërkohë, Bashkia e Tiranës përmes njoftimit të saj bën të ditur se 450 punonjës të ndërmarrjeve 1 dhe 2, si dhe të policisë bashkiake po monitorojnë situatën në terren.

Për shkak të situatës së rënduar, UKT njoftoi se do të ketë kufizime në furnizimin me ujë në disa zona të kryeqytetit.

Top Channel