Përmbytjet, forcat e ushtrisë në terren

19/11/2014 00:00

Në një lidhje telefonike në “Revistën Televizive të Mbrëmjes” në Top Channel, komandanti i Komandës Mbështetëse, gjeneral Ylber Dogjani është shprehur se të gjitha strukturat janë në gatishmëri të plotë dhe situata është nënkontroll.

“Për përballimin e situatës së krijuar si rezultat i reshjeve të rënë në Prefekturën e Lezhës, Komanda Mbështetëse dhe strukturat e saj në orën 19:00 vunë në gatishmëri të gjithë kapacitetet e nevojshme. Aktualisht kemi vënë në dispozicion të komunitetit 80 trupa ushtarake, 10 mijë thasë me rërë, zjarrfikëse, fadroma ekskavatorë, pompa uji dhe disa mjete për transport të familjeve të përmbytura. Aktualisht jemi fokusuar në largimin e ujërave nga nënstacioni elektrik në Lezhë, kjo me qëllim furnizimin e hidrovoreve. Deri tani është bërë evakuimin i dy familjeve të izoluara. Jemi në gatishmëri për përballimin e situatës së krijuar”, u shpreh Dogjani.

Sipas zotit Dogjani situata paraqitet më problematike në nënstacionin elektrik të Lezhës.

“Aktualisht situata më e ndërlikuar është në nënstacionin elektrik të qytetit të Lezhës. Nga kontakti që kemi pasur me pushtetin vendor, ata po bëjnë bilancin e familjeve që kërkojnë ndihmë. Ne jemi të gatshëm të vëmë mjetet tona në dispozicion në çdo kohë që do të jetë e nevojshme”, shtoi komandanti i Komandës Mbështetëse.

Top Channel