17-vjeçarja: Konventa më ndryshoi jetën

19/11/2014 00:00

“Ti më ndryshove jetën, e dashur Konventë. Ndryshove jeten time dhe të
të gjithë fëmijëve që të njohën. Për shkakun tënd unë besova tek vetja e
tek aftësitë e mia, u bëra një njeri me i përgjegjshëm, fillova të
mendoja edhe për fëmijët e tjerë që më rrethonin, të komunikoja më
lirshëm, të bashkëpunoja me të tjerët më lehtë”.

Me këto fjalë i drejtohet Emanuela Sulo, Konventës së të Drejtave të Fëmijëve në 25-vjetorin e hartimit te ketij dokumenti nga Kombet e Bashkuara. Në një përmbledhje me 25 letra të fëmijëve të botës, do të botohet edhe letra e saj. 17-vjeçarja nga Babica e Vlorës, thotë se njohu për herë të parë të drejtat e saj rreth 6 vjet më parë. Por si e ka ndryshuar jetën e saj ky fakt?

“Kam qenë 11 vjece dhe nuk kisha dëgjuar kurrë më parë për të. Nëpërmjet aktiviteteve tona kemi arritur të ndërgjegjësojmë për të drejtat tona jo vetëm fëmijët, por edhe prindërit dhe mësuesit”, thotë vajza.

Të drejtat e fëmijëve janë përmbledhur në 54 nene. Shqipëria prej vitit 1992 e ka nënshkruar dhe ky është dokument i detyrueshëm. Në syrin e një fëmije që lufton për të drejtat e saj, Emanuela thotë se kjo nuk është gjë e lehtë në realitet.

Dhe mesazhi i saj vjen natyrshëm, për ata që shkruajnë ligje dhe hartojnë politika. Ajo i “uron” Konventës që të gjitha të drejtat e shkruara në letër të gjejnë zbatim në realitet.

Top Channel