Jeruzalem, shkatërrohet banesa e agresorit

19/11/2014 00:00

Ushtria izraelite rrafshoi shtëpinë e palestinezit, që përplasi makinën e tij në një stacion tramvaji të Jeruzalemit, duke i marrë jetën një gruaje dhe një foshnje hebreje.

Vetëm pak orë përpara shkatërrimit, që më shumë se sa kthimin e një banese në gërmadhë synonte përcjelljen e një mesazhi, kryeministri Benjamin Netanyahu u zotua të rëndojë dorën e të fitojë – siç tha, – betejën për Jeruzalemin.

Komentet e tij pasuan sulmin në një sinagogë të zonës perëndimore të qytetit, ku dy palestinezë të armatosur me pistoleta, thika e sëpata masakruan katër rabinë në kohën e lutjeve.

Raportet e mëvonshme në media i shtuan bilancit të vdekjeve edhe atë të një oficeri policie.

Sulmi ndaj sinagogës “Bnei Torah Kehilat Yaakov” ishte më vdekjeprurësi në Jeruzalem prej 6 vjetësh. Dy agresorët u qëlluan për vdekje nga policia, ndërsa Netanyahu u zotua të forcojë sigurinë në rrugët e Jeruzalemit e më gjerë, duke deklaruar se do “t’i lajë hesapet” me çdo terrorist që sulmon shtetin hebre.

Autori i sulmit të 22 tetorit në stacionin e tramvajit, Abdel-Rahman Shaloudi, ishte nga lagjia Silwan, në zonën lindore të qytetit. Shaloudi u qëllua nga forcat e sigurisë, teksa tentonte të largohej dhe vdiq më vonë në spital prej plagëve të marra.

Izraeli pat hequr dorë në 2005-n nga politika e shembjes së banesave të militantëve, pasi një komision i ngritur mbi këtë çështje doli në përfundimin se shkatërrimet nuk i ndalonin sulmet.

Megjithatë, këtë vit, autoritetet izraelite i janë rikthyer praktikës së kritikuar nga grupet e të drejtave të njeriut, të cilat argumentojnë se familjet e të dyshuarve nuk kanë përse vuajnë pasojat e një veprimi individual, ndërsa vetë shembjen e cilësojnë një “ndëshkim kolektiv”, që si i tillë ndalohet nga ligjet ndërkombëtare.

Top Channel