Messi “frikëson” Barçën: E ardhmja? Nuk i dihet

19/11/2014 00:00

Lionel Messi frikëson Barcelonën, ndërkohë që gjigantë të tjerë si Manchester City, Paris SG dhe Bayern Munchen janë gati në vijën e parë, për të siguruar shërbimet e tij.

“Pleshti”, në një intervistë të dhënë për argjentinasen “Ole”, ka lënë dyert e hapura për një transferim të mundshëm në verë. “Unë jetoj vetëm ditën e sotme, mendoj të bëj një sezon të mirë përpara dhe të fitoj titujt që duam te Barcelona. Asgjë më shumë. Se çfarë mund të ndodhë më pas nuk i dihet, të shohim. Futbolli ka pasur shumë surpriza. Kam thënë se do të më pëlqente të qëndroja gjithmonë atje, por ndonjëherë jo gjithçka shkon ashtu siç e ke menduar”.

Atyre që e pyesin nëse kjo “pasiguri” ka lindur për shkak të këtij fillimsezoni jo shumë shkëlqyes për të me Barcelonën, Messi iu përgjigjet:

“Është normale që në një klub të madh, kur humben dy ndeshje nisin të dalin në pah probleme, por këtë verë në krye të pankinës ka ardhur një trajner i ri me ide të reja, ndaj dhe do të duhet pak kohë për t’i asimiluar ato”.

Messi ndalet të flasë edhe për Argjentinën dhe raportin e tij me Tevezin, i cili është vënë shpesh herë në diskutim.

“Rikthimi i Carlitos me Argjentinën është i rëndësishëm për lojtarin në fjalë, por për mua nuk ndryshon asgjë. Mendoj se nëse do të kisha shënuar në finalen e Brazilit, të gjithë ju do të kishit folur për një botëror të shkëlqyeshëm. Ashtu siç e kam thënë, ndoshta nuk kam zhvilluar ndeshjet e mia më të mira, por nuk besoj se kam luajtur aq keq sa thuhet nëpër media”.

Top Channel