Stuhi dhe përmbytje nëpër botë

19/11/2014 00:00

Stuhitë dhe përmbytjet e fundit kudo në botë janë dëshmi e qartë se stina e dimrit që na pret do të jetë një nga më të acartat ndër vite.

Sipas meteorologëve, reshjet e borës, shirat e rrëmbyeshëm, si dhe temperaturat nën zero do të shoqërojnë gadishullin e Ballkanit për disa muaj me radhë.

Ende pa nisur mirë dimri, këto dukuri natyrore kanë marrë jetën e dhjetëra personave. Përmbytjet në Kroaci kanë detyruar vendasit të mos dalin nga shtëpitë e tyre për shkak të niveleve të larta të ujit nëpër rrugë.

Ndërkaq, përgjatë kufirit Serbi-Rumani një person ka gjetur vdekjen për shkak të acarit. Po ashtu, moti i keq po përshkallëzohet në Greqi, Ukrainë dhe në vendet balltike.

Ndërsa në Itali, prej muajit tetor numërohen 23 viktima si pasojë e stuhive të fuqishme. Në Francë, prej të njëjtës rrymë të acartë 5 vetë kanë humbur jetën.

Por jo vetëm në Europë. Dara e të ftohtit ka shkaktuar vdekjen e 5 vetave në Nju Jork nga bora, e cila ka arritur trashësi deri 1.5 metra, kryesisht në Amerikën veriore.

Stuhia, që po lëviz nga perëndimi në lindje, i ka gjetur thuajse të gjithë të papërgatitur. Përveç humbjeve në njerëz, kushtet e rënduara klimaterike kanë shkaktuar edhe dëme të mëdha finaciare.

Dalja nga shtrati i lumenjve dhe rrëshqitja e dheut kanë dëmtuar edhe prodhimet e shumta bujqësore, kanë shkatërruar qindra banesa, si edhe kanë prishur rrugë të shumta.

Meteorologët besojnë se janë një seri faktorësh që kanë ndikuar në ashpërsimin e motit, pjesë e të cilëve janë uraganët dhe përplasjet e rrymave të ndryshme ajrore.

Top Channel