Përmbytje në Libofshë të Fierit

19/11/2014 00:00

Shtabet e Emergjencës raportonin se në Fier nuk ka probleme me përmbytjet, por në të vërtetë, në Libofshë 50 familje janë dëmtuar rëndë.

Ujërat u kanë shkatërruar orenditë, iu kanë rrëmbyer bagëtitë, sendet, drithërat dhe kanë shkatërruar edhe tokat bujqësore. Gjysma e banesave të përmbytura janë bërë të pabanueshme.

Banorët janë tmerruar pasi përmbytja është shkaktuar pak pas mesnatës. Pjesa më e madhe e tyre janë zhvendosur në tarraca apo katet e dyta, pasi prurjet e ujit ishin të vrullshme.

“Duke qëndruar në shtëpi, po dëgjonim që binte shi dhe brenda 15 minutash uji hyri në shtëpi. Mora menjëherë fëmijët dhe i vura sipër sobës, sepse s’kisha vend ku t’i lija. Dy metra ujë brenda në shtëpi. S’kishe nga vije më, s’më ka mbetur asgjë, jam zero. Mirë që shpëtova fëmijët dhe s’më intereson asgjë tjetër. E lajmërova policinë dhe m’u përgjigjën me një ton tjetër, asnjë përgjigje të saktë. Ndërkohë që kur erdhën ata, unë i kisha marrë fëmijët dhe i kisha nxjerrë andej”, thotë i zoti i një shtëpie të shkatërruar nga reshjet e shiut.

“Fëmijët po qanin dhe nuk dija çfarë të bëja. I morëm dhe i vumë sipër sobës që ishte vendi më i lartë”, thotë e ëma.

“Faji është i Komunës që nuk bëri kanalizim, po t’i kishte bërë nuk do kishim përfunduar në këtë gjendje. Vetëm kaq kërkojmë ne, taksat i paguajmë, energjinë po ashtu, të gjitha gjërat gati ndaj Komunës. I kemi bërë kërkesë me qindra herë për një kanal kullues, thonë do e bëjmë por asgjë”, tha një tjetër banor i përmbytur.

“Merreni me mend, aq të shumta kanë qenë prurjet, sa që janë rrëzuar edhe muret anësore, ndarëse mes shtëpive të këtyre familjeve, ndaj dhe dëmet kanë qenë të konsiderueshme jo vetëm në të mbjellura, por edhe në stoqet e zahireve, drithrave që kanë pasur nëpër familje”, shtoi një tjetër i prekur nga përmbytjet.

Përveç dëmeve në orenditë shtëpiake, përmbytja ka shkaktuar dëme dhe në bagëti dhe prodhime bujqësore. Përmbytje nga reshjet e shumta kishte edhe në fshatrat Mbrostar e Afrim i Ri, si dhe zona të tjera të rrethit të Fierit.

Shkak i përmbytjeve janë bllokimi i kanaleve kullues apo mungesa e tyre.

Top Channel