Ekzekutimi i Kassig, Franca konfirmon shtetasin e dytë

19/11/2014 00:00

Franca konfirmoi praninë e shtetasit të dytë të saj në videon e ekzekutimit me prerje koke të pengut amerikan, Peter Kassig, dhe disa ushtarëve sirianë, nga militantët e ISIS-it.

Mediat franceze citojnë burime jozyrtare të pohojnë se bëhet fjalë për një 22-vjeçar, banor i një periferie lindore të Parisit. Më herët, qeveria identifikoi Maxime Hauchard nga Normandia, si një prej militantëve të shfaqur në videon e publikuar fundjavën e lënë pas.

Ndërsa gjatë vizitës në Canberra të Australisë, Presidenti Francois Hollande pohoi se në pamjet e tmerrshme filmike të ISIS-it kishte dy francezë.

“Kanë qenë dy shtetasit francezë në videon e militantëve të Shtetit Islamik. Njëri është identifikuar, për këtë s’ka më dyshim, ndërsa zbardhja e identitetit të personit tjetër është në proces”, tha Francois Hollande, President i Francës.

Rreth 1000 xhihadistë francezë besohen të kenë udhëtuar në Siri e Irak, për t’iu bashkuar militantëve të ISIS-it, që veprojnë në të dy këto vende. Zyrtarisht, identiteti i ekzekutuesit të dytë nuk është bërë ende i ditur.

Por, agjencia e lajmeve “AFP” citon burime pranë hetimit të pohojnë se i riu është nga Parisi dhe quhet Abu Othman. Shqetësimet mbi pjesëmarrjen e qytetarëve francezë, sidomos në konfliktin sirian, u shtuan shumë pas sulmit të armatosur më herët gjatë vitit, në një muze hebraik të Brukselit.

Episodi i dhunës, që u kushtoi jetën 4 personave, ishte vepër e 29-vjeçarit francez, Mehdi Nemmouche, i cili kishte luftuar në krah të xhihadistëve në Siri.

Top Channel