Partizanët nuk i lanë të luftonin për liri

19/11/2014 00:00

ANDREA STEFANI – “Se luftojnë për liri shokët partizanë” – buçiste , te
“Partizani i Panjohur”, kënga me rastin e ceremonisë në përvjetorin e
çlirimit të Tiranës nga pushtuesit nazistë.

Po në emisionin “Shqip” të Rudina Xhungës, një figurë e respektuar e Luftës Nacionalçlirimtare, Rahman Parllaku, do të deklaronte, në thelb, se vërtet partizanët nuk sollën dot demokracinë, por lirinë e sollën ama! Po si mund të pretendohet se partizanët, të udhëhequr nga komunistët sollën lirinë, kur dihet se ndërsa pushtuesit largoheshin të mundur në Shqipëri po hidheshin themelet e diktaturës komuniste?! E si mundet të qëndrojnë bashkë liria dhe diktatura?

***

Kundërthënia lind ngaqë koncepti i “çlirimit” nga pushtuesi i huaj ngatërrohet me atë të “lirisë”. Por ndonëse njerëzit i përdorin ngatërrueshëm, rëndom si sinonime “çlirimi” nga njëra anë, dhe “liria” nga ana tjetër, janë dy gjëra krejt të ndryshme. Çlirimi ka të bëjë me të huajin, me invadorin, me përpjekjen dhe luftën për të shporrur atë që të ka pushtuar atdheun. Ndërsa liria ka të bëjë me vetveten, me përpjekjen madje edhe luftën për të ruajtur lirinë tënde, lirinë e njeriut nga shtypja apo sundimi i  qeverisë së vendit tënd. Me çlirimin e vendit nga pushtuesi i huaj nuk do të thotë se automatikisht vjen liria. Në jo pak raste në histori, pas një pushtimi të huaj ka ardhur një sundim vendas ndonjëherë edhe më i rëndë se sundimi i pushtuesit. Madje ndesh edhe raste kur një sundim i huaj, duke injektuar kulturën dhe institucionet e lirisë, ka ndikuar që pas largimit të pushtuesve apo kolonizatorëve, vendi të ecë në rrugën e demokracisë dhe lirisë. Një rast i tillë është India pas largimit të britanikëve.

 

***

Liria nuk vjen në një vend me popullsi të papërgatitur për të. Dhe shqiptarët ishin të tillë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Perandoria Osmane që e sundoi 5 shekuj Shqipërinë ishte pa lidhje me lirinë e njeriut. Tërë periudha pas shpalljes së pavarësisë, është një luhatje mes ekstremeve, kaosit dhe sundimit pa shënuar asgjë serioze në lidhje me lirinë dhe sistemin e saj politik. Më pas, gjatë Luftës II Botërore, Shqipëria u pushtua nga shtete si Italia dhe Gjermania që gjeografikisht vërtet ishin europiane, por si diktatura nazifashiste që ishin, i kishin shpallur luftë lirisë së njeriut dhe institucioneve të saj. Ndërkaq, lëvizja më e fuqishme që u rrit kundër pushtuesve ishte ajo e udhëhequr dhe dominuar nga komunistët. Por ata kishin për qëllim politik strategjik jo një sistem me liri, por “diktaturën e proletariatit” edhe pse një nga parullat më kryesore që ata përdorën ishte: Liri Popullit! Në këtë të fundit, thirrja “liri” ngatërrohej me “çlirimin” prandaj dhe nuk tingëllonte e gënjeshtërt siç rezultoi në të vërtetë në fund të luftës. Sepse në vend që të bëhej i lirë “populli” ra nën sundimin e diktaturës komuniste.

 

***

Duke pasur në udhëheqje të luftës një parti dhe, mbi të gjitha, një lidership si Enver Hoxha që aspironte për sundim dhe jo për liri, edhe partizanët nuk ishin të lirë të luftonin për lirinë. Devocioni atdhetar, sakrifica e tyre deri edhe duke dhënë jetën për Atdheun, janë jo vetëm të paqortueshme, por një heroizëm i denjë për nderim nga të gjithë brezat e sotëm e të nesërm. Partizanët, djem e vajza, burra e gra, dhanë edhe jetën që Shqipëria të arrinte më të mirën e mundshme pas luftës. Ata e bënë detyrën e tyre ndaj vendit dhe nuk do kishin bërë as më pak dhe as më shumë, sikur të kishin pasur një udhëheqje që investimin e tyre atdhetar, ta kishte përdorur në funksion të themelimit të një sistemi me liri në Shqipëri. Por shqiptarët nuk e patën një fat të tillë. Ndaj dhe lufta patriotike e partizanëve qe e destinuar të mbetej në kufijtë e një lufte çlirimtare pa arritur stadin e një lufte për liri. Partizanët sollën çlirimin por, aspak për faj të tyre, jo lirinë. Në të kundërt, fuqia e tyre e armatosur u manipulua dhe u përdor për të instaluar diktaturën. Fuqia e armatosur, çlirimtarja e Atdheut, u shndërrua në armë e diktaturës enveriane për robërimin e tij.

Top Channel