Vorë, gjendet makina e autorëve të vrasjes së 50-vjeçarit

19/11/2014 00:00

Gjendet në Vorë automjet i autorëve të vrasjes së Leonard Muratajt.
Burimet të policisë thonë se makina tip  Mercedez-Benz ngjyrë e zezë, me
targa Kruje është gjetur e braktisur në një zonë të banuar.

Qytetarët njoftuan policinë dhe kjo e fundit dërgoi atje ekspertë të kriminalistikës për të gjetur gjurmë të autorëve në brendësi të makinës.

Ndërkohë Policia e Durrësit ka shoqëruar deri më tani 10 persona që dyshohet se kanë dijeni për ngjarjen apo që janë dëshmitarë të saj. Leonard Murataj u ekzekutua mbrëmjen e djeshme në derën e lokalit të tij, në qendër të qytetit të Durrësit.

Paraprakisht dyshohet se ekzekutimi i 50 -vjeçarit ka si motiv hakmarrjen. Ai njihej nga policia si person me precedent penal, i akuzuar për vrasje dhe pengmarrje. Në ekzekutimin e tij kanë marrë pjesë dy persona dhe sipas policisë dyshohet se janë vrasës me pagesë. Gjithashtu Murataj njihej edhe si kundërshtari i Lul Berishës. Plumbat e marrë në pjesën e kokës shkaktuan vdekjen e menjëhershme të Muratajt.

Top Channel