Një shtëpi për të gjitha stinët

19/11/2014 00:00

Kemi parë shtëpi të përshtatura kundër klimës së ftohtë, të dizenjuara për të ruajtur nxehtësinë, gjithashtu edhe shtëpi kundër të nxehtit, të ndërtuara në mënyrë të tillë që të lejojnë qarkullimin e ajrit, duke i mbajtur të zotët të freskët, por kurrë më parë nuk i kemi parë të dyja bashkë.

Një çift arkitektësh në Londër kanë dizenjuar një shtëpi të pabesueshme “me kanate palosëse”, të cilat ndryshojnë sipas 8 konfigurimeve të ndryshme dhe automatikisht i përshtaten ndryshimit të stinëve.

E quajtur “D*Dynamic”, struktura është frymëzuar nga puna e një matematicieni të fillimshekullit 20, i cili zbuloi mënyrën se si të çash një katror dhe ta rindërtosh atë në një trekëndësh barabrinjës.

Për shembull, gjatë verës, dhoma e parë e gjumit kthehet nga Lindja dhe ndjek diellin duke përdorur një seri sensorësh. Kur të zotët e shtëpisë zgjohen, shtëpia rrotullohet automatikisht për t’iu siguruar atyre të qenit nën rrezet e diellit, ndërkohë që shtëpia gjeneron energji nëpërmjet paneleve diellore.

Në dimër, shtëpia është në një format katrori, me dritare të vogla dhe në masë të lartë termale, të cilën dizenjuesit e përshkruajnë si “vetëpërqafim”. Me ndryshimin e stinës dhe ngrohjes së klimës, shtëpia nis e hapet “si një lule” për të lejuar më shumë dritë dhe ajrosje, duke krijuar pamje të mrekullueshme të mjedisit përreth.

Shtëpia është ideuar nga arkitektët David Grunberg dhe Daniel Woolfson, të cilët kanë krijuar edhe kompaninë “D*Haus” për ta zhvilluar më tej këtë koncept dhe për ta realizuar. Sipas tyre, shtëpia do të kushtojë 2 milionë paund (3,1 milionë dollarë), por nëse do të mund ta prodhojnë këtë në sasira të mëdha, atëherë çmimi mund të zbresë deri në 800 mijë paund (1,2 milionë dollarë).

FOTO GALERI
1/2

Top Channel