Britania, mision në Hënë me donacione publike

19/11/2014 00:00

Platformës së mbledhjes së fondeve nga publiku “Kickstarter”, i është besuar realizimi i një plani mjaft ambicioz.

Një grup shkencëtarësh në Britani i kanë kërkuar sigurimin e fondeve të mjaftueshme për projektimin, ndërtimin dhe lëshimin e një sonde robotike hapësinore, e cila të ulet në Hënë dhe të shpojë sipërfaqen e satelitit të vetëm natyror të Tokës, për ta analizuar më në thellësi.

Nismëtarët e projektit synojnë realizimin e tij brenda dekadës së ardhshme. Objektivi është mbledhja e 500 milionë paundëve në formë donacionesh nga publiku. Në këmbim, dhuruesve do t’iu jepet mundësia të kenë fotografi, të dhëna, por edhe ADN-në e tyre të vendosur në një të ashtuquajtur “kapsulë kohe”, e cila do të groposet nën sipërfaqen hënore.

Sipas ideatorëve, trashëgimia afatgjatë e këtij projekti do të jetë gjetja e një mënyrë të re për eksplorimin e hapësirës. Shkencëtarë të njohur dhe organizata të shumta e kanë mbështetur këtë plan.

Drejtuesi i projektit, David Iron, u shpreh se kjo nismë e pavarur është rezultat i faktit që qeveritë e kanë gjithmonë e më të vështirë financimin e misioneve hapësinore.

Kushdo nëpër botë mund të bëhet pjesë projektit përmes dhurimit të pak paundëve, thotë ai, ndërsa shton se misioni hënor “Një” do të ketë një kontribut të jashtëzakonshëm në të kuptuarit të origjinës së planetit tonë dhe atë të Hënës.

Top Channel