Rama në Kuvajt, në qendër të bisedimeve bashkëpunimi ekonomik e tregtar

19/11/2014 00:00

Në ditën e parë të vizitës në shtetin e Kuvajtit, Kryeministri Edi Rama
zhvilloi një sërë takimesh  me krerët më të lartë të institucioneve të
këtij vendi.

Fillimisht Kryeministri Rama u prit në një ceremoni zyrtare nga Kryeministri Sheiku Al-Sabah. Siç njofton Zyra e Shtypit në Kryeministri, gjatë bisedimeve dypalëshe u vendos theksi mbi nxitjen e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve, sidomos në fushën e turizmit dhe sektorin e ujit.

Kryeministri Rama e njohu homologun e tij kuvajtian me reformat e ndërmarra nga Qeveria shqiptare dhe potencialin që vendi ynë ofron për sipërmarrjet e huaja të interesuara për të investuar në Shqipëri.

Ministri i Jashtëm Bushati dhe Ministri i Zhvillimit Ekonomik dhe Tregtisë Ahmetaj, nënshkruan katër marrëveshje në fushën e bashkëpunimit dhe zhvillimit të eksporteve industriale, mbrojtjen e mjedisit, ruajtjes së burimeve natyrore dhe zhvillimit të qëndrueshëm, bashkëpunimit në shëndetësi, si edhe marrëveshjen për heqjen e vizave për mbajtësit e pasaportave diplomatike dhe të shërbimit.

Kryeministri Rama u prit më pas nga Princi i Kurorës, Lartësia e tij Sheikh Nawaf al-Sabah, si dhe Kryetari i Parlamentit të Kuvajtit.

Top Channel