Kosovë, koalicion PDK-LDK?

19/11/2014 00:00

Pas thuajse katër orësh, në orët e mbrëmjes së të mërkurës ka përfunduar mbledhja e Këshillit të Përgjithshëm Drejtues të Lidhjes Demokratike të Kosovës, ku është vendosur autorizimi i kryetarit Isa Mustafa që të nisë menjëherë bisedimet me të gjitha partitë politike në Kosovë për formimin e qeverisë së re.

Ky vendim i jep fund marrëveshjes që LDK kishte firmosur fill pas zgjedhjeve të 8 qershorit me AAK-në, Nismën dhe Vetëvendosjen. Tashmë nuk përjashtohet një koalicion i gjërë qeverisës që do të përfshijë dy forcat më të mëdha politike, PDK-në e Hashim Thaçit dhe LDK-në e Isa Mustafës.

Më herët Thaçi nga mbledhja e qeverisë u ka bërë thirrje partive të spektrit të djathtë, ku përfshihen LDK dhe AAK që të ulen menjëherë në bisedime për të gjetur zgjidhje dhe për të formuar qeverinë e re.

Mësohet se kryetari i nderit Fatmir Sejdiu ka
braktisur mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, duke thënë se
nuk ka dashur të marrë pjesë në një votim formal që e autorizon liderin
e partisë të realizojë dëshirat e veta.

Ish-presidenti i Kosovës nuk ka dhënë ndonjë qëndrim se çfarë vendimi
duhet të marrë LDK, por ka kritikuar partitë e Bllokut paszgjedhor për
qëndrimet që kanë mbajtur pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

“Pra, ka qenë një ecje kryeneçe e të gjitha partive pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese”, ka thënë ai.

Sejdiu ka folur edhe për zgjedhjet në LDK, duke thënë se më datë 9 të
këtij muaji ka përfunduar koha kur ato duhej të zhvilloheshin.
Gjithashtu, ai nuk e ka përjashtuar mundësinë që të kandidojë për
kryetar të LDK-së.

Nga ana tjetër, Haradinaj duke komentuar lëvizjen e Isa Mustafës e ka cilësuar atë si tradhëti dhe u zotua se AAK-ja do t’i qendrojë besnike marrëveshjes së nënshkruar me partitë e tjera opozitare.

AAK ka përgënjeshtruar raportimet se i ka bërë ofertë për koalicion PDK-së së kryeministrit Hashim Thaçi. Edhe nga Partia Demokratike e Kosovës kanë deklaruar se tek kjo parti deri më tani nuk ka mbërritur asnjë ofertë bashkëpunimi nga asnjë subjekt politik.

Ndërsa Nisma për Kosovën e Fatmir Limajt ka deklaruar në një njoftim
për shtyp se, “vazhdon të besojë se marrëveshja ende është e mundur që
të jetësohet nëse palët nënshkruese i shfrytëzojnë momentet e fundit dhe
bëjnë përpjekje që të shohin përtej interesave të momentit me të cilat
aktualisht përballen”.

Ndërkohë presidentja Atifete Jahjaga ka deklaruar se koalicioni i ardhshëm qeverisës duhet të bazohet në 4 pika, 3 prej të cilave janë: të jetë gjithëpërfshirës sa u takon pakicave, të vijojë dialogun me Serbinë, të mundësojë krijimin e gjykatës për krimet e luftës së UÇK-së.

Top Channel