SHBA, dështon reforma për NSA-në

19/11/2014 00:00

Senati amerikan ka djegur reformën për Agjencinë e Sigurisë Kombëtare, që ndodhet dhe në qendër të skandalit Datagate.

Reforma, e quajtur “USA Freedom Act”, parashikon dhënien fund të mbledhjes së të dhënave nga telefonatat elektronike të amerikanëve.

Por ajo nuk ka arritur votimin proçedurial të Senatit për nisjen e diskutimit, duke mos arritur kuorumin prej 60 votash vetëm për dy të tilla.

Kundër votuan thuajse të gjithë republikanët, të cilët kanë kundërshtuar rishikimin në mënyrë rrënjësore të pushtetit të agjencisë.

Dështimi i demokratëve bën që debati mbi reformën të kalojë për vitin e ardhshëm. Ajo synonte t’i mbivendosej të ashtuquajturit “Patriot Act”, për ta rinovuar dhe modifikuar atë.

“Patriot Act” është ligji i shumëpërfolur anti-terrorizëm i miratuar me urgjencë pas sulmeve të 11 shtatorit e që zgjeron kompetencat e veprimit të agjencive të shërbimeve të inteligjencës dhe të autoritetit gjyqësor në jetën private të qytetarëve, duke u dhënë akses në të gjitha nivelet.

Lideri i republikanëve në Senat, Mitch McConnell e komentoi në këtë mënyrë refuzimin: “Ky është momenti më i vështirë i mundshëm për të lidhur duart pas kurrizit”.

Zgjedhjet afatmesme të mbajtura më herët gjatë muajit në Shtetet e Bashkuara çuan në humbjen totale të demokratëve të presidentit Barack Obama, të cilët humbën shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve dhe më pas në Senat, ku tashmë “bëjnë ligj” republikanët.

Top Channel