Nëna holandeze udhëton në Siri, merr vajzën e saj dhe e kthen në shtëpi

19/11/2014 00:00

Dashuria për të bijën e shtyu një nënë holandeze që të udhëtonte drejt ferrit dhe fatmirësisht të kthehej sërish bashkë me të.

Kështu mund të përshkruhet me pak fjalë udhëtimi i nënës holandeze, Monique e cila udhëtoi në Raqqa-s, fortesën e ISIS-it për të marrë prej andej vajzën e saj 19-vjeçare, Aishe.

Aishe ishte njëra nga dhjetra femrat perëndimore që i janë bashkuar ekstremistëve në betejën e tyre mizore për të ndërtuar një shtet islamik, frymëzuar nga një profeci e datuar që nga shekulli i 11.

Ajo udhëtoi në muajin shkurt të këtij viti drejt Sirisë për t’u martuar Omar Yilmaz, një shtetas holandez me origjinë turke që lufton për ISIS-in e që më parë ka qenë pjesë e ushtrisë holandeze.

Në shtator, Monique rrëfeu për televizionet holandeze se vajza e saj kishte ndryshuar krejtësisht pas njohjes me Omar, duke u shndërruar nga një adoleshente plot gjallëri në një vajzë të mbyllur që e shihte Omar si një lloj Robin Hood-i.

Vetë Monique në fund të janarit iu drejtua autoriteteve duke i njohur me mundësinë reale që vajza e saj 19-vjeçare të udhëtonte drejt Sirisë. Policia bllokoi pasaportën e adoleshentes, por vajza mundi të largohej gjithsesi duke shfrytëzuar kartën e identitetit.

Monique udhëtoi drejt Turqisë në muajin tetor dhe prej andej hyri në Siri duke iu drejtuar Raqqa-s. Pas javësh mes rrezikut, ajo mundi të nxjerrë nga qyteti vajzën e saj dhe që të dyja aktualisht ndodhen në Turqi në pritje të udhëtimit drejt Holandës.

Kjo është ndoshta e vetmja histori me ‘fund të lumtur’ të femrave që udhëtojnë në Siri për t’u martuar me xhihadistët. Një fat të tillë nuk e patën dy adoleshente austriake, 15 dhe 17 vjeç, ku njëra besohet se ka mbetur e vrarë, ndërsa për fatin e tjetrës nuk dihet gjë.

Top Channel