Rusia: Ukraina të mbetet jashtë NATO-s

19/11/2014 00:00

Zëdhënësi i presidentit rus Vladimir Putin ka deklaruar se Moskës i duhen garanci në 100 për qind që Perëndimi nuk do të shqyrtojë anëtarësimin e Ukrainës në NATO.

“Do të na pëlqente të dëgjonim që NATO do të ndalë avancimin drejt kufijve rusë dhe se nuk do të tentojë të prishë ekuilibrin. Por, për fat të keq, këto fjalë nuk po i dëgjojmë dhe kjo na bën nervozë”, ka deklaruar Dmitry Peskov.

Nga Kievi, ministri i Jashtëm ukrainas është përgjigjur duke thënë se, Ukraina nuk ka ndërmend t’i japë garanci askujt dhe se lidhur me anëtarësimin në NATO do të vendosë vetë.

Ndërkohë, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, duke raportuar në Parlament ka deklaruar se homologu i tij amerikan John Kerry ka pranuar hapur se diplomatët amerikanë po u bëjnë presion qeverive të huaja për t’i influencuar në lidhje me çështjen e Ukrainës.

Shefi i diplomacisë ruse ka raportuar gjithashtu se Kerry i ka sugjeruar atij që të mos ua vërë veshin deklaratave të presidentit Barack Obama, që e cilësonte Rusinë një nga kërcënimet më të mëdha në botë.

Deklaratat e zyrtarëve rusë vijnë një ditë pasi vetë presidenti Vladimir Putin akuzoi Shtetet e Bashkuara se duan të nënshtrojnë Moskën, por që sipas tij nuk kanë për t’ia arritur kurë.

“Ata nuk duan të na turpërojnë, por të na nënshtrojnë. Ata duan të zgjidhin problemet e tyre në kurrizin tonë”, tha Putin në fund të një takimi prej 4 orësh me një grup mbështetësish të Frontit Popullor.

Top Channel