Një meshë në gjuhën shqipe në nder të shqiptarëve ortodoksë në Maqedoni pritet të mbahet në pranverën e vitit të ardhshëm në njërën nga kishat e fshatrave të rajonit të Rekës së Epërme. Kisha Ortodokse e Maqedonisë për herë të parë në historinë e saj ka marrë një vendim të tillë.

Mesha e parë në gjuhën shqipe do të mbahet me kërkesë të shqiptarëve ortodoksë në nder të të parëve të tyre që kanë jetuar në krahinën e Rekës së Epërme, por ende nuk është caktuar në se cilën kishë.

Bëhet e ditur se shërbesa të ngjashme do të mund të organizohen në të ardhmen pa pengesa, sa herë që do të ketë nevojë dhe kërkesa nga besimtarët.

Në bazë të vendimit të Kishës Ortodokse Maqedonase mesha do të kryhet nga dy priftërinj që e njohin gjuhën shqipe, të cilët sipas të gjitha gjasave do të jenë nga Shqipëria.

Ky vendimi është mirëpritur nga drejtuesit e shoqatës ‘Josif Bageri’ që angazhohet për afirmimin e çështjes së shqiptarëve ortodoksë në Maqedoni. Historianët shqiptarë në Shkup flasin për rreth 70 mijë shqiptarë ortodoksë në Maqedoni që janë asimiluar.

Top Channel