Debat për buxhetin e shëndetësisë

19/11/2014 00:00

Deputeti socialist i Sarandës, Anastas Angjeli, kërkoi mendimin e
ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj nëse fondet janë të mjaftueshme për
të financuar sektorin. 

“Sigurisht që nevojat në shëndetësi, nuk mbarojnë, por dua të risjell në vëmendjen tuaj shërbimin kombëtar bazë. Në çdo qendër shëndetësore të Shqipërisë, prej këtij partneriteti publik privat ka investime që shkojnë drejtpërdrejt për çdo familje shqiptare. Eshtë hera e parë që brenda një viti në të gjitha qendrat shëndetësore të Shqipërisë, ne jemi prezentë me vlerë të shtuar, me investime në burime njerëzore dhe ajo që është me e rëndësishme, funksionim të përditshëm të pajisjeve, të laboratorëve”, tha ministri Beqaj.

“Kur unë pyes që a do të vazhdojmë edhe dy vitet e ardhshme me këtë raport të shpenzimeve ndaj GDP-së, kam parasysh që ju në Komision nuk duhet të shpreheni i kënaqur. Nuk jemi këtu për t’i hequr fonde shëndetësisë por t’i shtojmë. Po ju këtu na thoni, që me këto që kam, cdo gjë do të shkojë në rregull. Por ne e dimë se çfarë shëndetësie trashëguam”, tha deputeti Angjeli.

Për vitin e ardhshëm, Qeveria do të japë 40 miliardë lekë ose 2.8 për qind e PBB për shëndtësinë. Në buxhet është parashikuar që raporti do të mbetet i njëtë deri në 2018-ën. Por ekspertët e sistemit thonë se duhen shumë më tepër fonde.  

Në fushatën elektorale Qeveria u angazhua për shëndetësi falas deri në fund të mandatit. Por në Britani, një vend që zbaton parimin e mjekësisë universale, buxheti për shëndetësinë është rreth 9 për qind të Prodhimit Kombëtar ose mbi 3 herë më shumë se Shqipëria.

Top Channel