Kritere më të rrepta për dhënien e nënshtetësisë fëmijëve të emigrantëve përmban projektligji i ri i Ministrisë greke të Punëve të Brendshme, që ndryshon në thelb disa nene të ligjit ekzistues të formuluar nga socialistët në vitin 2010, i cili ishte shpallur edhe joinstitucional nga qeveria Samaras.

Mbi 200 mijë fëmijë, që i përkasin brezit të dytë të emigrantëve u prekën në mënyrë direkte nga ky vendim i Këshillit të Shtetit, i cili bllokoi mundësinë e marrjes së nënshtetësisë për ta, siç parashikohej në rast se kishin lindur në Greqi, nëse prindërit banonin për pesë vjet në mënyrë të ligjshme dhe nëse kishin kryer të paktën 6 klasë të shkollave greke, pavarësisht se ku kishin lindur.

Tashmë ligji i ri i kushtëzon emigrantët e brezit të dytë të aplikojnë për marrjen e nënshtetësisë vetëm pas mbushjes së moshës së pjekurisë, dmth pas moshës 18-vjeçare.

Sipas predispozitave të reja, do të kenë të drejtën për të kërkuar shtetësinë vetëm ata emigrantë brezit të dytë që kanë përfunduar arsimin e detyruar, pra 9 vjet shkolle, ose janë diplomuar në universitete.

Vetëm kur ata të kenë mbushur moshën 18 vjeç do të zgjedhin nëse do të paraqesin një kërkesë për një leje qëndrimi sipas ligjit të vitit 2014, apo do të aplikojnë për nënshtetësinë greke. Kjo mënyrë zgjidh edhe problemin që gjithë ky brez i dytë emigrantësh nuk do të jetë më peng i lejeve të prindërve të tyre, të cilët mund të mos i rinovonin ato për shkak të mungesës së sigurimeve shoqërore nga papunësisa.

Ndërkohë, ende e pazgjidhur mbetet çështja e nënshtetësisë për fëmijët e emigrantëve që kanë lindur në Greqi, për arsyen se konservatorët e Demokracisë së Re nuk kanë rënë dakord me socialistët e Pasokut, me të cilët bashkëqeverisin, që këta fëmijë të marrin automatikisht nënshtetësinë, siç veprohet në shumë shtete anëtare të BE-së.

Top Channel