“Dr. Flori ka pasur shqetësime dhe probleme të rënda shëndetësore përgjatë gjithë natës.” Deklaratat në polici të bashkëshortes së këngëtarit që u nda nga jeta dy ditë më parë, tregojnë se Dr. Flori ka qenë sëmurë gjithë natën.

Shpesh, na ka ndodhur të jemi në një situatë të vështirë me një familjar të sëmurë. Dilema nëse gjendja do përmirësohet pas qetësuesve të parë që i japim në këto raste apo nëse duhet të njoftojmë menjëherë urgjencën, gjithmonë na e shton ankthin nëse po bëjmë zgjedhjen e duhur.

Por, a jemi në gjendje ne si familjarë, me njohuritë tona ta përcaktojmë këtë moment vendimtar për jetën?

Grej Malo, mjek urgjence, shpjegon se kur duhet thërritur urgjenca: “Urgjenca duhet thërritur kur konstatojmë se një person ka një anomalitet në shëndetin e tij siç mund të jenë: dhimbje e fortë e gjoksit, marrje fryme, temperaturë shumë e lartë ose dridhje. Nuk diskutohen rastet e aksidenteve dhe plagosjeve.”

Biseda që bëjmë në telefon kur marrim urgjencën është gjithashtu e rëndësishme. Gjithmonë duhet të jemi transparentë për gjendjen shëndetësore të personit që ka nevojë për urgjencë dhe që të japim informacionin e duhur.

“Kur marrim në telefon urgjencën duhet të tregojmë kush po telefonon, për kë po telefonon, duhet të japësh shenjat klinike që ti po percepton, duhet të japësh vendndodhjen dhe numrin e telefonit fiks apo celular”, thotë mjeku.

Mjekët e urgjencës thonë se ka familjarë që marrin në telefon qoftë edhe për një herpes, por që gjithmonë nëse jemi në dilemë, mirë është të bëjmë telefonatën dhe janë mjekët që më pas vendosin nëse rasti ynë është urgjencë apo jo.  

Top Channel