Shkeljet me monopolin e pullave fiskale

19/11/2014 00:00

Dy vjet më parë, kur ia kaloi pullat fiskale si monopol një kompanie private, qeveria e asaj kohe nuk e lejoji Autoritetin e Konkurrencës të shprehej, edhe pse këtë e detyronte ligji. Shkelja i kushtuar shtrenjtë konsumatorëve.

Sipas Autoritetit, menjehërë pas dhënies me konçesion, monopoli privat i ka rritur me katër herë çmimet e pullave. Pas shqetësimeve të vazhdueshme nga biznesi dhe kërkesave të Kuvendit pak kohë më parë, Autoriteti vendosi të vlerësojë konçesionin duke i kërkuar Ministrisë së Financave informacione mbi kontratën dhe vlerësimet që ajo ka kryer.

Por një muaj më parë, Ministria u përgjigj se nuk kishte kryer asnjë vlerësim ekonomik për konçensionin as para nënshkrimit të marrëveshjes dhe as tani gjatë zbatimit të saj. Një përgjigje që ngre të tjera pikëpyetje.

Qeveria është angazhuar publikisht t’i rishikojë konçesionet. Vetë ministri i Financave ka deklaruar disa herë në Kuvend se institucioni që ai drejton i ka shqyrtuar me hollësi kontratat, për të gjetur hapësirat dhe argumentet ligjore. Por shkresa e Autoritetit fakton një tjetër version.

Përballja në gjykatë me kompanitë konçesionare mund t’i kushtojë shtrenjtë qytetarëve nëse qeveria nuk do ketë argumente të forta kundër tyre. Në këto kushte, fakti që Ministria e Financave ende nuk ka një vlerësim për atë që cilësohet si një nga konçesionet më të kundërshtuara ngre jo pak pikëpyetje.

Top Channel