Përmbytjet kanë shkaktuar dëme të mëdha. Mbushja e kanalizimeve dhe dalja e përrenjëve nga shtrati ka vënë në rrezik jetën e shumë personave, ndërkohë që dëmet materiale janë shumë të mëdha, si në bujqësi ashtu edhe në banesat e shumë fshatrave. Dëme janë shkaktuar në Lushnje, Fier, Berat, Elbasan dhe Kukës.

Fier
Bllokimi i kanaleve kulluese dhe reshjet e forta rrezikuan jetën e shumë banorëve në Libofshë të Fierit. Uji vërshoi në pak minuta duke arritur një lartësi deri në një metër në disa banesa. Dëmet e shkaktuara janë shumë të mëdha dhe banorët tregojnë se mundën të shpetonin vetëm veten dhe fëmijët. Bagëtitë, shpendët, ushqimet dhe të mbjellat u shkatërruan dhe u rrëmbyen nga uji. “Fëmijët bërtisnin, po qanin. Nuk dija ç’të bëja. I mora fëmijët dhe i vura sipër sobës, që ishte më e larta”, tregon një grua.

Lushnje
Dëme të shumta janë shkaktuar nga përmbytjet në tre komuna të rrethit të Lushnjes në Allkaj, Kolonjë dhe Fiershegan. Në dhjetëra shtëpi banimi uji hyri deri në gjysmë metër, ndërsa mijëra hektarë tokë bujqësore ende janë nën ujë. Dëmet në serrat bujqësore janë të pariparueshme, ndërsa që prej ditës së djeshme mungon energjia elektrike në disa fshatra. Mungesa e kanaleve kulluese dhe bllokimet e tyre në këto fshatra shkaktuan përmbytjet e banesave.

Berat
Shumë sipërfaqe tokë e mbjellë dhe sera janë shkatërruar edhe në qarkun e Beratit. Më të prekura janë fshatrat përgjatë aksit rrugor Berat-Skrapar, në Samaticë, Goriçan dhe Hinkë, në komunën Kutalli dhe përmbytje në disa banesa në fshatin Frashër të Kuçovës. “Nuk funksionojnë kanalet, kullueset, asgjë. Kanë nja 5-6 vjet të bllokuara, s’punon asgjë. S’ka as pastrim. Janë mbi 30-40 hektarë të dëmtuara”, tregon një fermer.

Kukës
Shtabi i emergjencës në Kukës bën të ditur se reshjet kanë shkaktuar rrëshqitje toke dhe dëme në fshatin Çernalevë, në komunën Shishtavec, ndërsa është i bllokuar aksi Dushaj-Lekbibaj. Ndërkohë që disa banorë në Has nuk furnizohen me energji elektrike.

Elbasan
Në qarkun e Elbasanit dëme janë vërejtur në zonën e Gramshit, ku sipas shtabit të emergjencave ka dëmtim të banesave, rrugëve dhe tokave bujqësore. Gjithashtu, problematike paraqitet situata në disa akse kombëtare, në të cilat ka shpesh rrëshqitje të dherave dhe nevojitet ndërhyrje për të mos krijuar probleme në qarkullim. Në këtë mbledhje është evidentuar gjithashtu si problem serioz për qytetin e Elbasanit përroi i Zaraniukës, i cili për shkak të reshjeve të shumta rrezikon të dalë nga shtrati.

Top Channel