Moska ndalon importin e mishit nga Mali i Zi.Paralajmëron Shkupin dhe Tiranën

19/11/2014 00:00

Rusia duket se po i kundërpërgjigjet me të njëjtën monedhë sanksioneve të Perëndimit. Agjencia ruse e Agro–bujqësisë njofton se nuk do të lejohet më importi i mishit nga Mali i Zi.

Por as Shqipëria e Maqedonia nuk i shpëtuan paralajmërimeve nga ana e Moskës. Kreu i agjencisë deklaroi se ka një problem me origjinën e mallrave që të dy vendet eksportojnë.

Sipas rusëve, është rritur dyshimi se mos Shqipëria dhe Maqedonia fillimisht i importojnë vetë produktet nga ndonjë vend i Bashkimit Europian e më pas i eksportojnë mallrat drejt Rusisë.

Ndaj, sipas Moskës, do të verifikohen të gjitha çertifikatat e dërgesave ushqimore dhe nëse kapet ndonjë parregullësi, atëherë do të bllokohen të gjitha rrugët tregtare me rajonin jug-perëndimor.

Deri më tani vendet e Ballkanit nuk ishin shumë të përfshira në situatën e rënduar mes Lindjes dhe Perëndimit, mirëpo ky vendim vjen vetëm 2 ditë pasi kancelarja gjermane Angela Merkel deklaroi se nuk do të lejojë rritjen e ndikimit të Rusisë në rajon, pasi mund të ripërsëritet situata e Ukrainës.

Nga ana tjetër presidenti Vladimir Putin nuk duket aspak i shqetësuar nga sanksionet, madje ai ka deklaruar se ato po e ndihmojnë ekonomine vendase. Sipas kreut të shtetit, prodhimet ruse janë shumëfishuar duke hapur kështu edhe vende të reja pune.

Top Channel