Kosovë, arrihet marrëveshja PDK-LDK

19/11/2014 00:00

Një krizë politike 6-mujore në Kosovë mori zgjidhje në pak orë mbrëmjen e së mërkurës. Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa arritën marrëveshjen për krijimin e një koalicioni të përbashkët.

Pakti u arrit në zyrën e presidentes Atifete Jahjaga, ku merrte pjesë edhe ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jacobson.

Lajmi fillimisht u be i ditur nga presidentja Jahjaga përmes një deklarate në Facebook.

Sipas Jahjagës,  në takimin e zhvilluar me nismën e dy liderëve, Thaç dhe Mustafa janë  pajtuan në parim për ndërtimin e koalicionit ndërpartiak, për të ndërtuar institucionet e Republikës së Kosovës, konform Kushtetutës dhe vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.

Top Channel ka mësuar nga burime brenda dy partive më të mëdha se liderët e tyre janë pajtuar që në ditët në vijim të ulen për të ndarë postet kryesore të pushtetit, ndersa garant i marrëveshjes pritet të jetë presidentja kosovare dhe Ambasada Amerikane.

Sipas njoftimit të presidentes, Thaçi dhe Mustafa theksuan përkushtimin e tyre për përmbylljen e shpejtë të procesit të ndërtimit të institucioneve në bazë të Kushtetutës, vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe parimeve kushtetuese që ruajnë karakterin shumetnik të Republikës së Kosovës, përmbushin detyrimet ndërkombëtare të rendit dhe ligjit dhe forcimit të rrugës euroatlantike të vendit tonë.

 

Top Channel