Edhe 24 orë pas reshjeve të shumta të shiut, të cilët sollën përmbytje në disa zona të kryeqytetit, situata vijon të mbetet e rëndë.

Në një prej pallateve pranë Fakultetit Ekonomik në kryeqytet, katet e nëndheshme të së cilit vijojnë të jenë ende nën ujë së bashku me 15 automjete të banorëve të pallatit.
Edhe pse tashmë është vënë në punë një pompë për nxjerrjen e ujit, ajo është marrë me qira nga vetë banorët.

“Pompat e ujit i kemi marrë me qira, të gjitha me lekët tona”, u shpreh një prej banorëve.

Edhe pse ka pasur dhe përmbytje të mëparshme, kjo ishte më e rënda e regjistruar në këtë pallat. Situatë kjo, e cila sipas banorëve ka ardhur për disa arsye.

“Inertet e hedhura në fushën e “Qytetit Studenti” nga firma që ndërtoi rrugën dhe inertet e një pallati të prishur kanë krijuar kushtet për grumbullimin e ujit. Uji që vjen nga “Qyteti Studenti” dhe nga rruga e “Elbasanit”, ku nuk ka mbaruar trotuari grumbullohet dhe përfundon në garazhet tona”, tha një tjetër banor.

Më herët gjatë ditës, nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Enno Bozdo inspektoi nga afër disa nga zonat më të dëmtuara nga prurjet e shumta të ujërave, të cilat kanë shkaktuar dëmtimin më të rëndë në ujësjellësa, si pasojë e të cilave zonat e përmbytura në Tiranë nuk janë furnizuar me ujë, konfirmoi nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Enno Bozdo.

“Kemi pasur probleme me Shën Mërinë që furnizon pothuaj gjithë qytetin e Tiranës, edhe ne Bovillë të vjetër. Nuk do të kenë ujë ato zona, nëse nuk jemi të sigurt për cilësinë e ujit dhe ndaj janë zona të tëra të Tiranës që do të kenë mungesa të ujit të pijshëm. Ata që nuk do të kenë ujë sot, nuk do të kenë vetëm sepse ne duam të ruajmë shëndetin e tyre”, tha Bozdo.

Si rrallëherë, në Tiranë shirat kanë përmbytur edhe një sërë shkollash dhe kopshtesh, të cilat sot nuk janë hapur për fëmijët. Shkolla “Sabaudin Gabrani”, tek “21 Dhjetori” nga Bashkia e Tiranës vlerësohet si më e dëmtuara, ku sasia e ujit ka shkuar pothuajse në gjysmën e lartësisë së ndërtesës.

Banesat sociale mbi Shkozë janë më të dëmtuarat nga shirat, ndërsa një sërë dëmesh ka patur në shume zona, shtëpitë dhe dyqanet e kateve të para në të gjithë Tiranës. Bashkia tha se do të ngre grupe pune për evidentimin e dëmeve, të cilat do t’i nisen Ministrisë së Brendshme për dëmshpërblim, deklaroi nenkryetari Bozdo.

Top Channel