Një vit pa Olldashin, Basha: Ditë të dhimbshme pa të

20/11/2014 00:00

Sot mbushet një vit, ku ish-deputeti i PD-së, Sokol Olldashi u nda nga
jeta si pasojë e një aksidenti tragjik, në aksin Elbasan-Tiranë. Miq e
të afërm pritet të organizojnë një ceremoni përkujtimore.

Ndërkaq, kreu i Partisë Demokratike, Lulëzim Basha është shprehur në rrjetin social Facebook se Olldashi është një forcë dhe impuls për të gjithë demokratët, ndonëse nuk është fizikisht. Edhe pse  ka kaluar një vit nga vdekja, Basha thotë se i mungon fjala dhe vendosmëria e tij.

“Ditët dhe muajt ikën rrufeshëm dhe ja ku jemi një vit pa Sokolin. Ditë të vështira, të dhimbshme pa të, për familjen, miqtë dhe kolegët. E kam kujtuar shpesh këto kohë sfidash të rëndësishme dhe jo të lehta. Më ka munguar fjala dhe vendosmëria e tij prej një luftëtari të paepur, të shumë betejave politike.

Sokoli nuk e pranonte kompromisin me antivlerën në kurriz të qytetarëve, të lirive, të drejtave dhe dinjitetit të tyre. Ai dinte të rezistonte e të rrezatonte kurajo dhe forcë, në ditë jo të mira si këto që po kalojnë qytetarët tanë. Pavarësisht se mungon fizikisht, ai është sot impuls dhe forcë për të gjithë ne, për të çuar përpara misionin e tij, misionin tonë të madh. Ditët, muajt, vitet do të kalojnë, por ai do të mbetet përjetë mes nesh, i qeshur, i vendosur dhe i guximshëm”, shkruan Basha.

Olldashi u nda nga jeta mbrëmjen e 20 nëntorit 2013, gjatë kohës që ishte duke udhëtuar nga Elbasani në drejtim të Tiranës. Automjeti më të cilin po lëvizte doli nga rruga në vendin e quajtur “Lapidari”, Tiranë e për pasojë 41-vjeçari humbi jetën.

Top Channel