Zgjidhet kriza, PDK-LDK ndajnë pushtetin. Jacobson “ndërmjetëse” 

20/11/2014 00:00

Për kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, koalicioni
me Lidhjen Demokratike të Kosovës nuk ishte ideal për asnjë prej
partive, por kjo i hap rrugë krijimit të institucioneve të reja, pas një
bllokade gjashtëmujore.

“Ne kemi arritur marrëveshjen për bashkëpunim ndërpartiak për ndërtimin e koalicionit të ardhshëm qeverisës dhe ndërtimin e institucioneve të reja të Republikës së Kosovës. Jemi vonuar, por është marrëveshje e drejtë”, u shpreh Thaçi.

Marrëveshja e arritur mes PDK-së dhe LDK-së ende nuk është e detajuar, pasi postet kryesore të pushtetit ende nuk janë ndarë.

“Ne kemi formuar grupet punuese, të cilat do të diskutojnë në orët dhe ditët e ardhshme. Gjithçka do të jetë transparente. Përgjegjësitë do të ndahen, pra tri përgjegjësitë kryesore. Dhe natyrisht se ne kemi rene dakort  që të punojmë këmbëngulësish në mënyrë të sinqertë dhe në bazë të respektit të ndërsjellë. Tani do t’i diskutojmë të gjitha çështjet. Të mërkurën në mbrëmje kemi diskutuar që të merremi vesh në parim. Ajo marrëveshje është arritur dhe tani do të diskutojmë në ditët e ardhshme”, shtoi më tej kreu i PDK-së.

Burime të Top Channel brenda dy subjekteve politike kanë bërë të ditur se postet kryesore do të ndahen gjatë kësaj jave, ndërsa për këtë përfliten disa skema të mundshme.

Skenari i parë është që LDK të marrë postin e Kryeministrit dhe gjysmën e ministrive, ndërsa PDK gjysmën e Qeverisë, Kuvendin dhe Presidencën pas përfundimit të mandatit të Atifete Jahjagës më 2016.

Skenari i dytë është që deri më 2016, Hashim Thaçi të vazhdojë të mbetet kryeministër, për të kaluar pastaj në postin e presidentit. Në këtë variant, thuhet se Isa Mustafa deri atëherë do të ishte kryeparlamentar.

Mosndarjen e posteve kryesore tanimë e ka konfirmuar përmes një komunikate për media edhe LDK-ja e cila në momentin e arritjes së marrëveshjes njoftoi se do ta drejtoje Qeverinë e re.

Sido që të merren vesh Hashim Thaçi e Isa Mustafa, marrëveshja e tyre do të garantohet nga ambasadorja amerikane Tracey Ann Jackobson.

Pas arritjes së marrëveshjes për ndarjen e posteve dhe pas hartimit të programit qeverisës, gjatë javës së ardhshme pritet që të konstituohet Kuvendi. Në ditën e njëjtë pritet që më pas të votohet edhe për formimin e qeverisë PDK-LDK dhe minoritetet që do t’i ketë më shumë se 80 vota në Kuvend.

Top Channel