VV dhe AAK: Marrëveshja, një pazar për të mbyllur dosjet e korrupsionit

20/11/2014 00:00

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti e ka quajtur Isa Mustafën
kolaboracionist, ndersa ka thënë se bashkimi i Partisë Demokratike të
Kosovës me Lidhjen Demokratike të Kosovës e fuqizon SHIK-un.

Kurti e cilësoi marrëveshjen mes Hashim Thaçit dhe Isa Mustafës si “pazar të dosjeve”, të cilin sipas tij e ndihmoi ambasadorja amerikane Tracy Ann Jacobson.

“Kolaboracionizmi i Isa Mustafës me PDK-në do t’i bëjë të korruptuarit edhe më të pasur, kriminelët edhe më të mbrojtur, të varfërit edhe më të mjerë, klasën e mesme edhe më të varfër, SHIK-un edhe më të fuqishëm, Mitrovicën edhe më të ndarë, e Serbinë edhe më të pranishme. Për ne është e qartë se të mërkurën në mbrëmje, te presidentja është bërë pazari me dosjet. Isa Mustafa e amniston PDK-në dhe SHIK-un për krimin e korrupsionin, kurse ambasadorja amerikane i ngrin ato 70 lëndë për krimet në komunë, që mund të cojnë te përgjegjësia e Isa Mustafës”, tha Kurti.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, tha se do ta luftojnë këtë Qeveri edhe më ashpër se Qeverinë “Thaçi 2”.

“Ne jemi zotuar që do ta luftojmë edhe Isa Mustafën, si të nominuar si kryeministër, po qe se është i nominuar për Kryeministër nga kjo marrëveshje, por edhe Qeverinë e Isa Mustafës me PDK-në do ta luftojmë edhe më ashpër sec kemi bërë me qeverinë e kaluar ‘Thaci 2’, për shkak se dëmet që kjo Qeveri do t’i shkaktojë Kosovës do të jenë më të thella dhe më te gjera në fushë-veprim”, tha Ymeri.

Albin Kurti shtoi se tani do të fillojë beteja parlamentare.

Për të ruajtur opozitë të fortë, bëri thirrje edhe ish i nominuari i  bllokut për Kryeministër, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Në konferencë për media nga selia e AAK-së, Haradinaj paralajmëroi takime me partitë opozitare. Ndërkohë, marrëveshjen mes PDK-së dhe LDK-së e cilësoi si përzierje të dy shkollave të dështuara qeverisëse, që do të shkaktojë regres të vazhdueshëm në Kosovë.

“Shkolla qeverisëse nacionale që e ka sjellë Kosovën në gjendjen që është, po ashtu është një shkollë qeverisëse që e kemi përjetuar në komunën e Prishtinës”, theksoi Haradinaj.

Haradinaj shtoi se kjo Qeveri i ka ditët e numëruara duke i bërë thirrje edhe qytetarëve që të mos nënshtrohen e të mos e pranojnë kapjen e shtetit.

Top Channel