Shtyhet gjyqi i “Bandës së Tritolit”

20/11/2014 00:00

Shtyhet  me 4 dhjetor seanca e parë gjyqësore ndaj “Bandës së Tritolit”,
më në krye Julian Sinanajn. Motivi i shtyrjes është fakti se Genis
Mëhillaj nuk ishte njoftuar për të marrë pjesë në seancë.

Gjithashtu në sallën e gjyqit nuk ka qenë prezent as biznesmeni i hidrokarbureve Ilir Karçini, i akuzuar si porositësi i vrasjes së kundërshtarit të tij, P.Bare.

Sinanaj nuk ka qenë në kafazin e hekurt por i shoqëruar nga agjentët e policisë, larg bashkëpunëtorëve të tij, Marion Mitro dhe Andon Mëhillaj, të cilët ishin në të njëjtin kafaz. I penduari tjetër i drejtësisë, Ndriçim Gjokona ka mbërritur me vonesë në Gjykatën e Krimeve të Rënda dhe u vendos në krah të Julian Sinanajt. Seancat e sotme ka zgjatur vetëm pak minuta, ku togat e zeza morën gjeneralitetet e të akuzuarve dhe më pas është mbyllur.

Ndaj “Bandës së Tritolit” rëndojnë gjithsej 38 akuza të rënda. Julian Sinanaj, Ndriçim Gjokona, Marjon Mitro, Alban Mexha, Ilir Karçini, Andon Mëhillaj dhe Genis Mëhillaj, janë të akuzuarit që do t’i nënshtrohen procesit gjyqësor, pas përfundimit të hetimeve nga prokuroria e Krimeve të Rënda. Genis Mëhillaj është person i shpallur në kërkim nga policia dhe thuhet se do të gjykohet në mungesë.

Hetimet ndaj bandës kanë nisur në Janar të 2014, pas atentateve me armë zjarri dhe tritol, të realizuara në pjesën më të madhe nga Julian Sinanaj. Prokurorët e çështjes kanë formuluar 15 akuza për serial-killerin Sinanaj, ku i janë faturuar dy vrasje si dhe një sërë atentatesh me lëndë eksplozive. Ndihmësi i killerit, Ndriçim Gjokona, akuzohet për 7 vepra penale, ndër to vrasja dhe pjesëmarrja në grupin kriminal. Për kushërinjtë Genis dhe Andon Mëhillaj, të akuzuar si porositës të disa ngjarjeve mafioze në Vlorë, janë formuluar 6 akuza.

Ata kanë porositur vrasjen e shtetasve Sokol Veizi dhe Agron Çela, si dhe kanë paguar Julian Sinanajn për të vendosur tritol në shtëpinë e ish-kreut të PD-së në Vlorë, Ardian Kollozi. Marjon Mitro do të gjykohet për tre vepra penale. Prokuroria ka mundur të faktojë se ai ka porositur atentatin e mbetur në tentativë ndaj ish-prefektit të Vlorës, Besnik Dervishi.

Top Channel