Merkel: Evropa s’është e sigurtë pa Rusinë

20/11/2014 00:00

Gjermania është e vetëdijshme për faktin se siguria e Evropës, të paktën në terma afatgjatë, nuk mund të garantohet pa Rusinë.

Deklarata është bërë nga kancelarja Angela Merkel, e cila gjatë një vizite në Poloni është shprehur pro dialogut me Moskën por jo ligjit të më të fortit.

“Sanksionet nuk përbëjnë një objektiv në vetëvete, prandaj duhet të ruajmë dialogun me Rusinë. Parimi i ligjit të më të fortit nuk është i pranueshëm”, ka thënë Merkel.

Këtë deklaratë kancelarja e ka bërë në një ceremoni me rastin e 25-vjetorit të pajtimit polako-gjerman, në lokalitetin Krzizova.

Ndërkohë, një ditë më parë ushtarët ukrainas kanë hapur zjarr ndaj një autokolone vëzhguesisht të OSBE-së në lindje të vendit.

Ngjarja ka ndodhur në afërsi të lokalitetit Marinka, i kontrolluar nga Kievi e që ndodhet 15 kilometra në lindje të Donetskut, bastion i separatistëve pro-rusë.

Lajmin e ka bërë të ditur të enjten vetë misioni i OSBE-së, që ka saktësuar se inspektorët u larguan nga zona që po kontrollonin për arsye sigurie.

Sipas OKB-së, thuajse 1 mijë të vdekur janë regjistruar në lindje të Ukrainës që nga nisja e armëpushimit 6 shtatorin e kaluar dhe totali i viktimave që nga nisja e konfliktit në muajin prill është ngjitur në të paktën 4.317.

Sipas një njoftimi të zyrës së Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut, numri i të plagosurve në këtë konflikt llogaritet në 9.921.

Top Channel