Putin: Rusia të ndalë çdo “revolucion me ngjyrë”

20/11/2014 00:00

Presidenti rus Vladimir Putin ka bërë të ditur gjatë së enjtes se Moska duhet të bëjë gjithçka mundet për të shmangur ekstremizmin dhe për të ndalur “revolucionet me ngjyra” të mbërrijnë në Rusi.

“Në botën moderne, ekstremizmi po përdoret si një instrument gjeopolitik për të rimodeluar sferat e influencës. Kemi parë se çfarë pasojash tragjike solli vala e të ashtuquajturave revolucione me ngjyra”, tha ai përpara Këshillit të Sigurisë, duke iu referuar trazirave popullore në ish-republikat sovjetike.

“Për ne, ai ka qenë një mësim dhe një paralajmërim. Duhet të bëjmë gjithçka të nevojshme, që ngjarje të ngjashme të mos ndodhin kurrë në Rusi”.

Ndërkohë, nga ana tjetër, Rusia akuzoi Shtetet e Bashkuara se do të shkelte marrëveshjet ndërkombëtare dhe do të destabilizonte situatën në Ukrainë, nëse do të ofronte furnizime me armë ndaj forcave ukrainase në luftën kundër separatistëve rebelë në lindje të vendit.

Një zyrtar amerikan sugjeroi gjatë së mërkurës se Uashingtoni do të merrte në konsideratë dërgimin e armëve në Ukrainë. Zëdhënësi i ministrit të Jashtëm rus, Alexander Lukashevich, tha se zyrtari dha “një sinjal tepër serioz”.

“Nëse do të ketë një ndryshim politikash – dhënia e asistencës jo-vdekjeprurëse për Ukrainën – atëherë ne mund të flasim për një faktor serioz destabiliteti, i cili mund të ketë impakt tepër të rëndësishëm në balancën mes forcave në rajon”, tha Lukashevich, gjatë një konference për shtyp.

Lukashevich foli përpara reporterëve, në një moment kur në Ukrainë pritet të mbërrijë zv/Presidenti Joe Biden, pasditen e së enjtes.

Lukashevich paralajmëroi kundër “ndryshimit madhor të politikës së administratës së Shteteve të Bashkuara në lidhje me konfliktin në Ukrainë”. “Nëse ndodh, do të përbënte një shkelje të drejtpërdrejtë të marrëveshjeve të arritura, përfshi ato me pjesëmarrjen e Shteteve të Bashkuara”, tha ai.

Uashingtoni mbështet Kievin në një betejë kundër separatistëve prorusë në dy rajone lindore të Ukrainës, si dhe ka vendosur sanksione ndaj Rusisë për shkak të politikave të saj në lidhje me këtë krizë. Moska mbështet separatistët, por mohon të ketë pjesë në konfliktin e armatosur, gjatë të cilit sipas Kombeve të Bashkuara kanë vdekur mbi 4300 persona që prej mesit të prillit.

Top Channel