Piratët fshijnë faturat e energjisë elektrike

20/11/2014 00:00

Format e protestës kundër faturave të energjisë elektrike janë të ndryshme dhe ndoshta më origjinalja mbërrin nga Turqia.

Grupi i piratëve kibernetike me emrin “Redhack” dhe të njohur për bindjet e tyre komuniste, sulmuan dhe morën nën kontroll serverat e administrimit të faturave të energjisë elektrike në rajonin Soma të Turqisë.

Pas marrjes nën kontroll të serverave piratët kanë fshirë prej andej të gjitha faturat e papaguara. Përpos një videoje prej më shumë se 2 minutash të hedhur në internet nga vetë “Redhack”, lajmi është konfirmuar edhe nga autoritetet turke.

Megjithatë, për të gjithë ata që menduan se i shpëtuan pagesave, Ministri turk i Energjisë deklaroi se nuk bëhet fjalë për një fshirje përfundimtare të faturave, pasi një kopje e tyre ekziston e regjistruar në serverat e kompanisë energjitike kombëtare.

Sulmi i “Redhack” është përshëndetur nga grupi më i madh i piratëve kibernetikë të njohur me “Anonymous”.

Top Channel