Gjermani, marrëveshje historike e të majtëve

20/11/2014 00:00

Marrëveshje historike, kështu është quajtur akordi për një koalicion mes partive të majta në Gjermani, sipas të cilit gjermanët do të kenë të parin president rajonal nga ekstremi i së majtës që prej rënies së komunizmit.

Sipas marrëveshjes, Bodo Ramelow, lider i partisë “Die Linke”, pritet të bëhet president i shtetit të Thuringias muajin e ardhshëm. Detaje të mëtejshme në lidhje me koalicionin do të shpallen në vijim gjatë së enjtes.

Socialistët e “Die Linke” kanë qenë pjesë e disa qeverive shtetërore në Gjermani, por asnjëherë nuk kanë udhëhequr një shtet që prej rënies së Murit të Berlinit. “Die Linke” është pasardhëse e partisë komuniste që drejtonte në Gjermaninë Lindore.

Ramelow njoftoi përmes Tëitterit, gjatë së mërkurës, se “Die Linke” kishte arritur një marrëveshje me Socialdemokratët (SPD) dhe “Të gjelbrit”, duke krijuar të ashtuquajturin koalicion “i kuq, i kuq, i gjelbër”.

Ai tha se qeveria e koalicionit të udhëhequr nga “Linke” do të ndiqte “politika pragmatiste” dhe se do të kishte një “projekt pajtimi”.

Marrëveshja raportohet të zgjasë për 5 vjet dhe analistët thonë se ajo mund të përbëjë bazën e një koalicioni të ngjashëm në nivel kombëtar. Emërimi i Ramelow është ende subjekt i votimit në Asamblenë shtetërore, që pritet të mblidhet më 5 dhjetor.

Konservatorët Kristiandemokratë (UCD) të Angela Merkelit, që qeverisin në nivel kombëtar, priten të jenë opozitarë në Thuringia. Njoftimi vjen vetëm 1 javë pas festimeve që shënuan 25-vjetorin e rënies së Murit të Berlinit.

Presidenti gjerman, Joachim Gauck, tha se njerëzit, që kanë jetuar nën komunizëm, do ta kenë “të vështirë ta pranojnë” një qeveri të udhëhequr prej socialistëve.

Top Channel