Panariti kundër buxhetit: Duam rritje

20/11/2014 00:00

Ministri i Bujqësisë Edmond Panariti i kërkoi Komisionit të Ekonomisë të
ndryshojë projektbuxhetin e vitit të ardhshëm për të rritur fondet
sektorit që ai drejton.

“Pikërisht për të mbuluar këto nevoja që janë dhe detyrime ndaj fermerëve, ndaj mbajtjes në gjendje funksional të sisteve të vaditjes dhe kullimi, ndaj sigurisë ushqimore, parandalimit të sëmundjeve, ne kemi kërkuar një shtesë prej 5 miliardë lekë”, tha Panariti.

Për vitin e ardhshëm, Qeveria ka akorduar 8.3 miliardë lekë për bujqësinë me një rritje prej 26 për qind krahasuar me këtë vit. Por zoti Panariti thotë se kjo shifër është e pamjaftueshme dhe duhet të rritet edhe me 60 për qind të tjera.

“Unë e di që jemi në një vit të vështirë financiar dhe jam i përgjegjshëm se unë jam pjesë e Qeverisë, por nga ana tjetër jam po aq i ndërgjegjshëm që ne i kemi detyrimet ndaj fermerëve, ndaj agro-biznesit. Duhet të bëjmë minimumin për ta mbajtur sistemin gjallë dhe funksional”, tha Panariti.

Bujqësia ka qenë historikisht sektori më i diskriminuar nga buxheti, ku edhe pse jep 20 për qind të Prodhimit Kombëtar merr mbrapsht nga Qeveria vetëm 0.6 për qind të saj. Sipas ministrit këto janë shifra të pakrahasueshme edhe me ato vende që e kanë buxhetin më të vogël se Shqipëria.

“Unë nuk po krahasohem me Maqedoninë, por mendoj që kam të drejtë të krahasohem me Republikën e Kosovës. Jam munduar që të jem me shumë në këmbë në tokë për të kërkuar atë që realisht është e domosdoshme”, tha ministri Panariti.

Në tre vitet e fundit, bujqësia ka qenë një nga sektorët më kontributin më të madh në rritjen ekonomike, madje me ndikimi të drejtpërdrejtë në shmangien e një recesioni të mundshëm. Por sektori mbetet ende i keqfinancuar dhe fermerët shqiptarë shpesh në kushte të diskriminuara përballë atyre të rajonit e Bashkimit Europian, të cilët përfitojnë subvencione në dhjetëra mijë euro në vit.   

Top Channel